Goditje e madhe për titullarin e mesfushës, Barcelona konfirmon dëmtimin në ligamentin e gjurit

23/07/2026 20:13

Frenkie de Jong ka pësuar një dëmtim të ligamentit të brendshëm anësor të gjurit të djathtë, ka njoftuar zyrtarisht Barcelona përmes një raporti mjekësor të publikuar së fundmi.

Mesfushori holandez reagoi edhe vetë përmes një postimi në “Instagram”, ku shpjegoi situatën dhe dha detaje mbi dëmtimin. De Jong bëri me dije se fillimisht, gjatë grumbullimit me kombëtaren e Holandës, ishte diagnostikuar me një problem më të lehtë dhe pritej një rikuperim i shpejtë.

Megjithatë, pas rikthimit nga pushimet dhe ekzaminimeve të kryera nga stafi mjekësor i Barcelonës, rezultoi se dëmtimi ishte më serioz nga sa ishte menduar fillimisht.

Për momentin, mesfushori nuk ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, por një operacion nuk është përjashtuar plotësisht. Nëse do të vendoset për këtë zgjidhje, De Jong mund të qëndrojë jashtë fushave për të paktën katër muaj.

Barcelona ende nuk ka dhënë një afat zyrtar për rikthimin e tij, ndërsa klubi dhe lojtari do të ndjekin nga afër procesin e rikuperimit për të përcaktuar trajtimin më të mirë.

Top Channel