Mbi 37 mijë telefonata me vende të ndryshme të botës/ Të burgosurit shqiptarë në Britani kryesojnë listën, autoritetet: Shpërndajnë drogë në burgje, kanë lidhje edhe me…

21/07/2026 11:57

Të burgosurit shqiptarë në burgjet britanike kanë kryer një numër të lartë telefonatash, sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat tregojnë se komunikimet e regjistruara nga kjo kategori kanë qenë më të shumta krahasuar me kombësi të tjera.

Sipas shifrave, tetë të burgosur shqiptarë kanë kryer gjithsej 37,307 telefonata, që përbën një mesatare prej rreth 207 thirrjesh në ditë për person. Në total, telefonatat e lidhura me shtetas shqiptarë kanë arritur në 157,962.

Pas Shqipërisë, siç raporton ‘The Telegraph”, numrin më të lartë të telefonatave e kanë regjistruar të burgosurit irlandezë, me 73,541 thirrje nga 678 persona, ndërsa shtetasit amerikanë kanë kryer 57,867 telefonata nga 68 të burgosur.

Prof. Ian Acheson, ish-guvernator burgu dhe ish-këshilltar i qeverisë britanike për ekstremizmin në burgje, tha se numri i telefonatave nga të burgosurit shqiptarë kërkon vëmendje të veçantë.

“Krimi i organizuar shqiptar ka një rol të njohur në shpërndarjen e drogës brenda burgjeve. Shkalla e ndikimit të tyre jashtë burgjeve është më pak e qartë, por nuk do të ishte e habitshme nëse disa prej këtyre komunikimeve lidhen me organizimin e veprimtarive kriminale”, tha ai.

Deklaratat vijnë pas paralajmërimeve të ish-sekretarit britanik të drejtësisë, David Lammy, i cili ka thënë se drejtues të grupeve kriminale po vazhdojnë të menaxhojnë aktivitetet e tyre nga brenda burgjeve.

Sipas tij, krimi i organizuar po koordinohet gjithnjë e më shumë nga persona të burgosur, ndërsa përdorimi i dronëve për futjen e drogës dhe armëve në burgje është bërë një problem në rritje.

Autoritetet britanike kanë deklaruar se shtetasit shqiptarë të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar janë kryesisht të përfshirë në vepra penale që lidhen me drogën dhe vjedhjet.

Sipas Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit (NCA), grupet kriminale shqiptare janë përfshirë gjerësisht në kultivimin e kanabisit në Britani, duke zëvendësuar në disa raste grupet vietnameze si furnizues të rëndësishëm të tregut vendas.

Kultivimi i kanabisit në ambiente të mbyllura është kthyer në një aktivitet fitimprurës për shkak të kërkesës së lartë dhe mundësisë për prodhim brenda territorit britanik, pa nevojën e transportit ndërkufitar.

Të dhënat mbi telefonatat u publikuan nga Nick Timothy, sekretar i drejtësisë, i cili ka kërkuar publikimin e statistikave të plota mbi kriminalitetin sipas kombësisë së autorëve.

Ai tha se qeveria duhet të ofrojë më shumë transparencë mbi përfshirjen e shtetasve të huaj në krime.

“Jo të gjitha kombësitë paraqesin të njëjtin nivel rreziku kriminal dhe publiku ka të drejtë të ketë informacion të plotë”, deklaroi Timothy.

Sipas tij, numri i telefonatave të lidhura me të burgosur shqiptarë është më i lartë se ai i kombinuar i disa vendeve të tjera, përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Japoninë, Italinë, Gjermaninë dhe Francën.

Sipas të dhënave të publikuara, renditja e vendeve me numrin më të madh të telefonatave ishte:

Irlanda – 73,541

SHBA – 57,867

Polonia – 37,691

Rumania – 37,307

Franca – 33,844

India – 32,581

Spanja – 30,668

Italia – 28,110

Gjermania – 27,278

Telefonatat nga burgjet britanike lejohen vetëm drejt numrave të miratuar paraprakisht. Ato mund të monitorohen në rastet kur autoritetet dyshojnë për rrezik të lidhur me veprimtari kriminale.

Një zëdhënës i shërbimit të burgjeve britanike theksoi se nga këto të dhëna nuk mund të nxirren përfundime të drejtpërdrejta, pasi ato nuk tregojnë kombësinë e personave që kryejnë telefonatat dalëse.

Sipas tij, të gjitha telefonatat e të burgosurve regjistrohen dhe monitorohen në përputhje me rregullat, ndërsa pagesa e tyre kryhet nga vetë të burgosurit.

Top Channel