“Bëj gjënë e duhur, mos e humb kurrë ndershmërinë”/ Pronari i restorantit në SHBA gjen 12 mijë dollarë ia kthen paratë ish-pronarit

19/07/2026 10:12

Një histori ndershmërie ka bërë xhiron e mediave në Shtetet e Bashkuara, pasi një pronar restoranti në Karolinën e Jugut gjeti 12 mijë dollarë të fshehura në një kuti të vjetër veglash dhe vendosi t’ia kthente pronarit të mëparshëm.

Sak Yiengjuntuek, pronar i restorantit “Lemongrass Pho & Thai Cuisine” në Myrtle Beach, zbuloi paratë ndërsa po pastronte disa sende të vjetra të lëna pas nga pronari i mëparshëm i biznesit, të cilin ai e kishte blerë në prill të vitit 2025.

Gjatë sistemimit të disa kutive të veglave, ai hapi një prej tyre dhe gjeti një kuti syzesh dielli. Kur e hapi, brenda saj pa një shumë të madhe parash.

“U shokova. E dija menjëherë se paratë i përkisnin pronarit të mëparshëm”, tregoi Yiengjuntuek për mediat amerikane.

Pa humbur kohë, ai tentoi të kontaktonte ish-pronarin për t’ia kthyer paratë, por numri i telefonit që kishte në dokumentet e biznesit rezultoi i çaktivizuar.

Duke mos pasur një mënyrë tjetër për ta gjetur, pronari i restorantit kontaktoi një televizion lokal, duke shpresuar se historia e tij do të ndihmonte në gjetjen e pronarit të parave.

Gjatë një interviste live në televizion, Yiengjuntuek kujtoi se kishte një tjetër numër telefoni të ruajtur me një emër tjetër. Ai e telefonoi në atë moment dhe, për habinë e tij, burri u përgjigj.

“Kam disa lajme të mira për ty”, i tha ai në telefon, duke i treguar se kishte gjetur paratë e humbura.

Më vonë u mësua se pronari i parave po përballej me një problem serioz shëndetësor, duke e bërë edhe më domethënëse kthimin e tyre.

Veprimi i Yiengjuntuek u vlerësua nga komuniteti i Myrtle Beach, ndërsa ai tha se shpreson që historia e tij të shërbejë si shembull për të tjerët.

“Bëj gjënë e duhur. Mos e braktis ndershmërinë”, ishte mesazhi i tij.

Top Channel