Tjetër goditje për ish-kampionët e Gjermanisë, klubi legjendar i Mynihut humb të drejtën e përdorimit të stemës 100-vjeçare

18/07/2026 16:14

Kriza që ka përfshirë prej vitesh klubin gjerman 1860 Munich vazhdon të thellohet. Pas rënies në kategorinë e katërt të futbollit gjerman, klubi tashmë është detyruar të heqë dorë përkohësisht edhe nga stema e tij ikonike.

1860 Munich është një nga klubet më historike në Gjermani dhe një nga themeluesit e Bundesligës në vitin 1963. “Luanët” fituan titullin kampion në vitin 1966, ndërsa triumfuan edhe në Kupën e Gjermanisë në vitet 1942 dhe 1964. Megjithatë, rënia e klubit nisi në vitin 2004, kur u largua nga Bundesliga, duke mos arritur më kurrë të rikthehet në elitë. Pas 13 sezonesh në Bundesliga 2 dhe tetë të tjera në Ligën e Tretë, sezoni i kaluar solli rënien në kategorinë e katërt.

Problemet nuk mbarojnë me rezultatet sportive. Sipas raportimeve të Bulinews, klubi është përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore lidhur me të drejtat e emrit dhe logos, të cilat vazhdojnë të zotërohen nga kompania e investitorit Hasan Ismaik. Për këtë arsye, stema tradicionale nuk mund të përdoret për qëllime komerciale.

Si zgjidhje të përkohshme, drejtuesit e klubit vendosën të rikthejnë një emblemë historike që daton më shumë se një shekull më parë.

Në një njoftim zyrtar, 1860 Munich bëri të ditur:

“Derisa luani të mund të përdoret sërish pa kufizime si stemë, kompania e re operuese do të përdorë përkohësisht stemën historike FA. Sapo të plotësohen kërkesat ligjore, luani do të rikthehet si stema e TSV 1860 Munich.”

Klubi sqaroi gjithashtu se emblema FA është dokumentuar për herë të parë në vitin 1919, edhe pse origjina e saj e saktë mbetet e paqartë. Sipas departamentit të historisë së klubit, luani ka qenë simboli kryesor i ekipit që përpara Luftës së Parë Botërore, ndërsa stema FA është pjesë e trashëgimisë historike të departamentit të futbollit dhe do të përdoret gjatë kësaj periudhe tranzitore.

Top Channel