Plagosen 4 ushtarë amerikanë në Lindjen e Mesme/ Tensione në Hormuz, mbyllet Ngushtica

18/07/2026 10:49

Përshkallëzohet përplasja mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme: Ushtria iraniane njoftoi se ka goditur me raketa bazën amerikane Sheikh Isa në Bahrein, e thotë se ka dëmtuar një depo karburanti dhe zona ku qëndrojnë avionët luftarakë amerikanë.

Sipas autoriteteve lokale, sulme të reja iraniane janë raportuar edhe në Kuvajt dhe Bahrein. Komanda Qendrore e SHBA-së nga ana e saj njoftoi se ka përfunduar nata e shtatë radhazi e sulmeve ndaj Iranit, duke bërë të ditur se janë goditur objekte ushtarake, përfshirë qendra vëzhgimi, infrastruktura logjistike, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare. Por mësohet se të paktën katër ushtarë amerikanë janë plagosur gjatë sulmeve iraniane ndaj bazave amerikane në Jordani, ndërsa gjendja e tyre nuk janë bërë publike.

Edhe në Gjirin e Hormuzit, situata është ashpërsuar ndjeshëm sërish. Garda Revolucionare iraniane pretendoi se kishte ndaluar disa anije cisternë që tentuan të kalonin ngushticën. Më herët, Teherani kishte deklaruar se dy anije qene përfshirë nga flaket gjatë kalimit në një zonë të minuar, por Komanda Qendrore amerikane e mohoi këtë informacion duke e cilësuar si të rremë. E premtja shënoi një javë sulmesh të njëpasnjëshme ajrore amerikane ndaj Iranit, sulme këto që rinisën pas dështimit të bisedimeve të paqes mes dy vendeve.

Ndërkohë, tensionet rreth të ardhmes së Ngushticës së Hormuzit kanë vështirësuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm. Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se rruga detare strategjike është mbyllur, edhe pse Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane e kundërshton këtë pretendim, duke theksuar se forcat amerikane vazhdojnë të shoqërojnë trafikun tregtar në këtë korridor jetik për transportin global të energjisë.

Top Channel