Chelsea ka arritur marrëveshje me Aston Villa për transferimin e sulmuesit anglez Morgan Rogers në një operacion rekord për klubin, me vlerë rreth 137 milionë euro.

Futbollisti 23-vjeçar pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore pasi Aston Villa pranoi verbalisht ofertën e londinezëve. Rogers do të firmosë një kontratë gjashtëvjeçare me klubin nga Stamford Bridge.

Edhe pse ishte në radarin e Arsenalit, lojtari ka zgjedhur t’i bashkohet Chelseat, ndërsa raportimet bëjnë të ditur se ai është bindur nga projekti dhe vizioni i trajnerit të ri, Xabi Alonso.

Rogers do të bëhet përforcimi i dytë i Chelseat nën drejtimin e Alonsos, pas ardhjes së Marco Palestra nga Atalanta për rreth 50 milionë euro. Skuadrës do t’i bashkohen gjithashtu Emmanuel Emegha dhe Geovany Quenda, transferime të mbyllura përpara emërimit të trajnerit spanjoll.

Sulmuesi iu bashkua Aston Villas në shkurt të vitit 2024 nga Middlesbrough, klub që do të përfitojë gjithashtu financiarisht nga kjo lëvizje falë klauzolave të shitjes. Middlesbrough kishte arkëtuar më parë rreth 18.7 milionë euro nga transferimi fillestar dhe bonuset.

Gjatë qëndrimit te Aston Villa, Rogers zhvilloi 125 ndeshje, shënoi 31 gola dhe dhuroi 29 asistime. Ai ishte një nga protagonistët e triumfit të ekipit në Europa League sezonin e kaluar, duke luajtur në çdo ndeshje dhe duke kontribuar me një gol dhe një asist në finale.

Top Channel