Japonia ndryshon rregullat e familjes perandorake, por gratë mbeten jashtë fronit

17/07/2026 14:22

Parlamenti i Japonisë ka miratuar ndryshime në ligjin për familjen perandorake, me synimin për të zgjidhur mungesën e trashëgimtarëve dhe tkurrjen e vazhdueshme të familjes mbretërore.

Megjithatë, ligji nuk ndryshon rregullin kryesor që ndalon gratë të ngjiten në fron.

Projektligji i miratuar nga Dhoma e Lartë lejon që familja perandorake të adoptojë të afërm meshkuj mbi moshën 15 vjeç, ndërsa princeshat do të mund të ruajnë statusin e tyre mbretëror edhe pasi martohen me persona jashtë familjes perandorake.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, Princesha Aiko, vajza e vetme e Perandorit Naruhito, nuk mund të bëhet trashëgimtare e fronit, pasi ligji japonez lejon vetëm meshkujt të trashëgojnë kurorën.

Aktualisht, në radhën e trashëgimisë janë Princi Fumihito, vëllai më i vogël i perandorit, djali i tij Princi Hisahito dhe xhaxhai 90-vjeçar i perandorit. Nëse Hisahito nuk do të ketë një djalë, linja e trashëgimisë rrezikon të përfundojë.

Ndryshimet e reja parashikojnë gjithashtu rikthimin në familjen perandorake të pasardhësve meshkuj të 11 degëve ish-perandorake, të cilat u hoqën pas Luftës së Dytë Botërore.

Ky është ndryshimi i parë i rëndësishëm në Ligjin e Shtëpisë Perandorake që nga viti 1949 dhe konsiderohet reforma më e madhe e sistemit perandorak japonez në dekada.

Edhe pse qeveria dhe politikanët konservatorë vazhdojnë të mbështesin trashëgiminë vetëm në linjë mashkullore, shumica e japonezëve janë pro ndryshimit të këtij rregulli. Sondazhet e fundit tregojnë se mbi 70% e qytetarëve mbështesin idenë e një perandoreshe femër, ndërsa një tjetër anketë e vendos këtë mbështetje në 83%.

Top Channel