Manovrat e Milanit, ëndrra e vërtetë e kuqezinjve për sulmin është Foden, por varet nga…Leao
Rindërtimi i kombëtares italiane pas dështimeve të fundit në arenën ndërkombëtare rrezikon të nisë me debate të brendshme. Ndërsa emërimet e mundshme të Giovanni Malagò si president i federatës dhe Paolo Maldinit si drejtor teknik kanë marrë mbështetje të gjerë, ideja për t’i besuar pankinën Andrea Pirlos ka shkaktuar përplasje opinionesh.
Drejtuesit e rinj të futbollit italian po shqyrtojnë mundësinë që ish-mesfushori legjendar të marrë drejtimin e “Azzurrëve”, ndërsa Malagò, Maldini dhe këshilltari Leonardo raportohet se kanë nisur kontaktet për të diskutuar me Pirlon. Megjithatë, klubet e Serie A kanë një tjetër preferencë: Antonio Conten.
Sipas raportimeve nga Italia, klubet e elitës e shohin trajnerin e Napolit si kandidatin ideal për të pasuar Gennaro Gattuson në drejtimin e kombëtares, duke besuar se përvoja dhe karakteri i Contes do të ishin më të përshtatshme për një moment delikat të futbollit italian.
Ndërkohë, preferenca personale e Malagòs është Roberto Mancini, me të cilin ai ka një marrëdhënie të konsoliduar prej vitesh. Kjo ka bërë që procesi i zgjedhjes së trajnerit të ri të mos jetë një vendim unanim, por një çështje që po përballet me disa alternativa dhe interesa të ndryshme.
Pirlo gjithashtu nuk gëzon mbështetje të madhe nga tifozët. Një sondazh i publikuar nga “SportMediaset” me mbi 30 mijë votues e renditi ish-futbollistin e Milanit dhe Juventusit si kandidatin më pak të preferuar për pankinën e Italisë. Ai mori vetëm 2% të votave, shumë pas Pep Guardiolës (45%), Carlo Ancelottit (28%) dhe Antonio Contes (15%).
Edhe disa prej analistëve më të njohur italianë kanë shprehur dyshime për një emërim të mundshëm të Pirlos. Kritikat lidhen kryesisht me mungesën e rezultateve bindëse në karrierën e tij si trajner, pavarësisht suksesit të madh që pati si futbollist.
Gazetari i “Corriere della Sera”, Fabrizio Roncone, ka argumentuar se Pirlo nuk ka ende eksperiencën e nevojshme për të marrë drejtimin e Italisë në një periudhë rindërtimi. Sipas tij, kampioni i botës i vitit 2006 mbetet një figurë e jashtëzakonshme në fushë, por kalimi nga lojtar në trajner ka rezultuar shumë më i vështirë.
Edhe Stefano Agresti, zv/redaktor i “Gazzetta dello Sport”, ka theksuar se nuk ka asgjë personale ndaj Pirlos, por vuri në dukje se rrugëtimi i tij në stol deri tani nuk ka qenë bindës. Ai kujtoi shkarkimin nga Juventus, eksperiencën jo të suksesshme në Turqi dhe periudhën te Sampdoria.
Sipas Agrestit, zgjedhja ideale për Italinë do të ishte Antonio Conte, i cili konsiderohet nga shumë figura të futbollit italian si trajneri me profilin e duhur për të rikthyer besimin te kombëtarja.
Federata Italiane pritet të marrë një vendim në ditët e ardhshme dhe synon që trajneri i ri të prezantohet përpara takimit me klubet e Serie A më 23 korrik. Megjithatë, nëse zgjedhja do të jetë Pirlo, ai do ta nisë aventurën me një sfidë të madhe: të bashkojë një ambient të ndarë dhe të rikthejë besimin e tifozëve te “Azzurrët”.
Top Channel