Edhe Gjykata e Apelit e gjeti fajtor Mario Perlleshajn për vrasje në rrethana cilësuese të bashkëmoshatarit Martin Cani, i cili u qëllua për vdekje pas një përleshjeje në shkollën “Fan Noli”.

Duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, Apeli e dënoi Perlleshajn me 16 vite burgim, dënim që përfshin edhe vrasjen e 14-vjeçarit Cani edhe plagosjen e Luis Meçes.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, përballë kërkesës së mbrojtjes të të miturit, që këmbënguli në rikualifikimin e akuzës, për të dyja gjykatat, siç kishte deklaruar Prokuroria, i mituri nuk mund të dënohej me më shumë se 12 vite burg për akuzën e vrasjes së Martinit dhe si referencë grupi hetimor solli gjatë pretencës Kodin e Drejtësisë për të Mitur.

Për të krijuar bindje mbi krimin në shkollën “Fan Noli”, që përfshiu në sulm të miturit, gjykata kërkoi aktekspertizën e psikologëve edhe ndaj autorit edhe ndaj nxënësit tjetër, Luis Meçe, i cili mbeti i plagosur dhe që, veç Martinit, u konsiderua nga akuza si viktimë e ngjarjes.

Veç autorit të vrasjes, Perlleshaj, që insistoi gjatë gjykimit se ishte goditur nga një grup bashkëmoshatarësh, duke e rrëzuar për tokë dhe më pas nuk mbante më mend rreth ngjarjes, Prokuroria njoftoi se po heton edhe stafin e shkollës “Fan Noli”. Por, megjithë dyshimet se mësuesit shpërdoruan detyrën duke mos e zgjidhur çështjen në kohë, Prokuroria nuk ka zyrtarizuar asnjë akuzë.

Top Channel