Arti fierak në zi, i jepet lamtumira ikonës së humorit Todi Llupi

15/07/2026 11:11

Qytetarë, kolegë, miq dhe familjarë i dhanë sot lamtumirën e fundit aktorit të mirënjohur Todi Llupi, “Artist i Merituar”, në homazhet e zhvilluara në hollin e Teatrit “Bylis”, aty ku ai dha kontributin e tij artistik për më shumë se pesë dekada.

Me lule, duartrokitje dhe emocione, dhjetëra qytetarë, artistë dhe kolegë u përkulën me respekt përpara figurës së tij, duke kujtuar një prej emrave më të spikatur të Estradës Profesioniste të Fierit dhe humorit shqiptar.

Todi Llupi iu bashkua Estradës së Fierit në vitin 1971 dhe për më shumë se pesë dekada interpretoi dhjetëra role që mbetën të paharrueshme për publikun. Me talentin e tij të veçantë, interpretimin plot finesë dhe përdorimin mjeshtëror të dialektit myzeqar, ai fitoi zemrat e brezave të tërë dhe u kthye në një ikonë të humorit fierak.

Sot ne kemi humbur një nga figurat më të shquara të artit fierak. Todi Llupi, ai që dikur na nxirrte nga kjo sallë të qeshur, sot na ka sjellë këtu të qajmë dhe të përlotemi. Por vepra e tij, humori dhe kujtimi që ka lënë pas do të mbeten gjithmonë me ne”, shprehet Pëllumb Kulla, regjisor.

Përveç skenës së estradës, Todi Llupi interpretoi edhe në disa filma artistikë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e kinematografisë dhe humorit shqiptar. Në vitin 1989 u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”, si mirënjohje për kontributin e tij të çmuar në art dhe kulturë.

Kolegët e tij e kujtojnë si një aktor me talent të rrallë, por mbi të gjitha si një njeri të dashur, të thjeshtë dhe me vlera të mëdha njerëzore.

Ndarja nga jeta e Todi Llupit është një humbje e madhe për qytetin e Fierit dhe për gjithë artin shqiptar. Ai largohet fizikisht, por rolet, humori dhe emocionet që dhuroi për më shumë se 50 vite do të mbeten të gjalla në kujtesën e publikut.

Top Channel