Pse mbahet ende Meta në burg dhe Berisha detyrohet 2 herë në muaj të shkojë në Prokurori? Ja si përgjigjet kreu i SPAK Edhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier ka nisur zbatimi i ligjit nr. 57/2026 “Për dhënien e amnistisë”, duke sjellë lirimin e dhjetëra të dënuarve dhe ulje dënimi për qindra të tjerë.
Komisioni i ngritur pranë IEVP Fier shqyrtoi të gjitha dosjet e të dënuarve me vendim të formës së prerë. Nga verifikimet rezultoi se 104 të dënuar përfitojnë nga amnistia dhe lirohen nga vuajtja e mëtejshme e dënimit, ndërsa rreth 210 të dënuar përfitojnë ulje dënimi me një vit, e cila do t’u zbritet nga pjesa e mbetur e dënimit.
Mes të liruarve ka kryesisht persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët dhe të mesme, por amnistia ka përfshirë edhe disa të dënuar me masa të larta burgimi, të cilëve u kishte mbetur më pak se një vit për të vuajtur. Mes tyre është Luan Fusha, i dënuar me 25 vite burg për vrasje me paramendim, i arrestuar në korrik të vitit 2008, si dhe Erild Gega, i dënuar me 14 vite burg për vjedhje me dhunë, i arrestuar në vitin 2014.
Nga amnistia përfituan gjithashtu edhe dy shtetas të huaj, një shtetas pakistanez i dënuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe një shtetas rumun i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike, si edhe shtatë të dënuar mbi moshën 60-vjeçare, të cilëve u kishte mbetur më pak se një vit dënim.
Mes të liruarve është edhe Gjergji Goga nga Tepelena. I dënuar me tre vite burg, ai përfitoi nga amnistia dhe u lirua nga IEVP Fier. Megjithatë, Goga thotë se nuk e përjashton mundësinë e rikthimit sërish në burg, pasi sipas tij në Shqipëri asgjë nuk është e sigurt dhe pa mbështetje është e vështirë të ndërtosh një jetë normale. Ai thekson se kanë qenë kushtet e vështira ekonomike që e çuan drejt burgut.
Zbatimi i ligjit të amnistisë në IEVP Fier është kryer sipas procedurave të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërsa të gjithë përfituesit janë identifikuar pas shqyrtimit të dosjeve dhe verifikimit të kritereve të përcaktuara në ligjin për amnistinë.
Top Channel