Vrasja e 43-vjeçares amerikane në Irlandë/ Autopsia zbulon shkakun e vdekjes, partneri 28-vjeçar u largua drejt Turqisë para zbulimit të krimit

12/07/2026 11:55

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 43-vjeçares amerikane Jamie Carney, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në qytetin Killarney të Irlandës.

Hetimet po përqendrohen te partneri i saj 28-vjeçar, Ahmad Alsaker, i cili dyshohet se është larguar nga Irlanda vetëm pak orë para se krimi të zbulohej.

Sipas rezultateve të autopsisë të kryer nga mjeku ligjor shtetëror, shkaku i vdekjes së 43-vjeçares ishte asfiksia, duke përmbysur dyshimet fillestare se ajo kishte humbur jetën si pasojë e plagëve të rënda në kokë. Ekspertiza mjeko-ligjore konkludoi se gruaja u mbyt ose iu shkaktua një formë tjetër e pengimit të frymëmarrjes.

Trupi i Jamie Carney u zbulua të martën në mëngjes nga vajza e saj 13-vjeçare, e cila e gjeti nën një jorgan në dhomën e gjumit të banesës familjare. Edhe pse viktima kishte disa lëndime në trup, autoritetet kanë konfirmuar se ato nuk ishin shkaku kryesor i vdekjes.

Ndërkohë, hetuesit kanë përqendruar vëmendjen te partneri i saj, Ahmad Alsaker, i cili konsiderohet një person me interes të veçantë për çështjen. Sipas autoriteteve, 28-vjeçari kishte mbërritur në Irlandë në vitin 2024 nga Lindja e Mesme dhe kishte kërkuar azil.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se ai hipi në një fluturim nga Dublini drejt Stambollit vetëm disa orë para se vajza e viktimës të zbulonte trupin e pajetë të nënës së saj.

Autoritetet irlandeze dyshojnë se ai mund të përpiqet të udhëtojë më tej drejt Jordanisë, duke kaluar përmes vendeve të Lindjes së Mesme. Sipas mediave, ai ka lidhje në Turqi, Siri dhe Jordani dhe flet arabisht, anglisht dhe frëngjisht.

Policia kishte shpërndarë njoftime në portet dhe aeroportet e vendit, duke besuar se 28-vjeçari mund të tentonte të arratisej, por më vonë u konfirmua se ai ishte larguar tashmë nga Irlanda.

Hetimet tregojnë se Alsaker ishte një nga personat e fundit që kishte kontakt me Jamie Carney. Dyshohet se ai kishte kaluar të dielën dhe të hënën me 43-vjeçaren, pak para se ajo të humbiste jetën.

Sipas raportimeve, lidhja mes tyre kishte nisur vetëm disa muaj më parë, pasi ishin njohur gjatë një proteste lokale pro-palestineze. Duke qenë se 28-vjeçari frekuentonte shpesh banesën e viktimës, hetuesit pranojnë se prania e gjurmëve të ADN-së së tij në vendngjarje nuk do të jetë e mjaftueshme për të provuar përfshirjen në krim, çka pritet ta bëjë hetimin edhe më kompleks.

Autoritetet irlandeze vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa përpjekjet për lokalizimin e 28-vjeçarit janë në vazhdim.

Top Channel