Vdes Brian Potter/ Producenti i hiteve për Player, Take That dhe Santana Përplasjet e reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rrisin pasigurinë në një nga korridoret më të rëndësishme detare të botës, duke shtuar shqetësimet për ndikimin që mund të kenë në ekonominë globale.
Pasi Shtetet e Bashkuara vazhduan për dy ditë rresht bombardimet ndaj objektivave në Iran dhe Teherani u kundërpërgjigj me sulme raketore ndaj bazave amerikane në rajonin e Gjirit, problemet e kalimit në Ngushticën e Hormuzit u rikthyen në qendër të vëmendjes.
Shefi i negociatorëve iranianë, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se “kur godet, duhet të presësh edhe që të goditesh”. Ai theksoi se lundrimi në Hormuz do të rifillojë vetëm “sipas rregullave të vendosura nga Irani”.
Megjithatë, anijet kanë vazhduar të kalojnë nëpër Ngushticë edhe gjatë ditës së djeshme, ndonëse situata mbetet “shumë e paqëndrueshme”, sipas analistëve të sektorit detar.
Bridget Diakun, analiste në Lloyd’s List Intelligence, tha se disa anije po kalojnë “në errësirë”, duke çaktivizuar sistemet e transmetimit të pozicionit gjatë lundrimit në këtë korridor strategjik detar.
Ndërkohë, Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar njoftuan se trafiku detar vazhdon në nivele të reduktuara, duke përdorur si korridorin jugor pranë brigjeve të Omanit, ashtu edhe rrugën veriore që kalon pranë ujërave të kontrolluara nga Irani.
Sipas UKMTO-së, niveli aktual i lundrimit tregon se kompanitë e transportit detar po veprojnë me kujdes, megjithëse kalimet e realizuara nën shoqërimin e forcave amerikane thuhet se kanë vijuar pa ndërprerje gjatë kësaj jave.
Top Channel