“Rilindja Urbane me objektiv 1.5 miliardë euro për Shqipërinë”, Rama prezanton programin: Sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy ajo që mungon

10/07/2026 11:47

Kryeministri Edi Rama, në eventin Rilindja 2.0 me energji të re, bëri të ditur se qeveria synon të investojë 1.5 miliardë euro për projekte të reja zhvillimi.

Rama u ndal tek rasti i një proteste komunitare, për problematikat e tyre, teksa theksoi se “sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon”.

“Një program kombëtar ambicioz për të kaluar tek Rilindja urbane 2.0, duke i vendosur në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 mld eurosh. Ajo që mendova se është e rëndësishme ta ndaj me ju sot, lidhet me jo thjesht dallimin mes këtij program të ri dhe program të parë të Rilindjes urbane por me arsyet që na çojnë në këtë program. Përpara disa ditësh pata një komunikim me njërin prej jush që ishte shumë i acaruar me një grup njerëzish që i kishin dalë në një lloj proteste për një çështje komunitare. 

Po thoshte që i kam gjetur në llum, s’kishin rrugë, ndriçim, mbushur me ferra, mes plehrave. Ia kam bërë lagjen me rrugë, me drita, me pemë, edhe stola kam vënë, por janë mosmirënjohës. Unë besoj që ky është leximi më i gabuar i mundshëm i një reagimi për të cilin normal atij nuk i vinte mirë, askujt nuk i vjen mirë, për më tepër kur ke parasysh atë që ai thoshte.

Nga ishte nisur dhe nuk e kuptonte dot se si një komunitet të cilit i kishte bërë të gjitha të hyzmet t’i kthehej kundër. Fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy, si e papranueshme ajo që mungon. Kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera. Shoqëritë e varfra, ne kemi qenë e tillë, nuk jemi më një shoqëri e varfër, nuk thash që nuk kemi varfëri, por nuk jemi shoqëri e varfër”, tha Rama.

Ndërkohë ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, përmendi projektet që do të vihen në zbatim për bashkitë.

“Dua të falënderoj kryeministrin Rama, që ka hedhur idenë për Rilindjen 2.0. Unë besoj fort se të gjithë ne kryetarët e bashkive jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që hasim çdo ditë në territor. Sot kemi 83 muze në territor, janë 22 projekte konkrete që do të marrin jetë. Me këtë paketë, me këtë mbështetje financiare, kjo paketë do krijojë 70 muze bashkiakë, që do të fokusohen tek traditat lokale. Ne po punojmë që të zgjidhim dhe çështjen e parkimit. 120 milionë euro do të harxhohen për ta zgjidhur çështjen e parkimit.

Na duhen arkitektë, që krijojnë qytete, që ofrojnë dimensione të reja. Kjo do ketë impakt edhe për peizazhin urban. Ne duam që të ndihmojmë të rinjtë, që duan të ndërmarrin hapa në sipërmarrje. Ne duhet të vazhdojmë këtë sukses. Edhe mjedisi është i rëndësishëm, sepse patjetër që mjedisi është një sfidë që na ka shoqëruar prej shumë vitesh. Është një sektor që kërkon investime të mëdha. Ne jemi të vetëdijshëm sesa rëndësi ka që territori të mbulohet 100 përqind në menaxhimin e mbetjeve. Investime janë parashikuar në këtë sektor, deri në 2030 do jenë 150 milionë euro që do të hidhen për të mbrojtur mjedisin”, tha ministri Demo.

Top Channel