Ish-ylli i futbollit francez, Samir Nasri, ka kaluar rreth 10 orë në paraburgimin e policisë franceze si pjesë e një hetimi të gjerë për pastrim parash, trafik droge dhe pjesëmarrje në një grup të organizuar kriminal.

Sipas Le Parisien, 39-vjeçari u mor në pyetje nga Brigada e Hetimeve Financiare në Paris në kuadër të një procedimi gjyqësor që po heton një rrjet të dyshuar të importimit të lëndëve narkotike dhe pastrimit të të ardhurave të përfituara nga aktivitetet kriminale.

Në qendër të hetimit ndodhen Karim Berrebouh, i konsideruar si një trafikant i njohur droge nga Marseja dhe i burgosur që prej vitit 2021, si edhe Olivier Sabbah, i cili dyshohet se ka qenë një nga organizatorët kryesorë të skemës së pastrimit të parave.

Emri i Nasrit është përmendur për shkak të rolit të tij si ish-pronar dhe administrator i klubit të natës “XS” në Ivry-sur-Seine, ku ai u bë aksionar rreth vitit 2016. Hetuesit po verifikojnë nëse lokali është përdorur në ndonjë mënyrë në skemën e dyshuar të pastrimit të parave.

Pas marrjes në pyetje, ish-mesfushori i Arsenalit, Manchester Cityt, Olympique Marseille dhe kombëtares franceze u lirua pa asnjë akuzë apo masë ligjore ndaj tij. Megjithatë, autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të thirret sërish nëse hetimet sjellin prova të reja.

Ndërkohë, Nasri është gjithashtu në vëmendjen e autoriteteve tatimore franceze. Edhe pse deklaron se është rezident tatimor në Dubai, ku nuk paguhen pothuajse fare taksa mbi të ardhurat, administrata fiskale franceze dyshon se ai ka jetuar realisht në Paris.

Sipas një investigimi të publikuar nga Les Échos, dyshimet u forcuan pasi u zbuluan mbi 200 porosi ushqimi të bëra në adresën e tij në Paris përmes aplikacionit Deliveroo, një element që autoritetet e konsiderojnë si tregues të mundshëm të qëndrimit të tij të vazhdueshëm në Francë.

Top Channel