Egjipti në kaos, trajneri Hassan e kap me një tifoz argjentinas me flamurin izraelit…
Ndërsa në vend festohej përvjetori i fitores së Botërorit mes nostalgjisë për atë që ishte futbolli italian dhe trishtimit për mungesën në 3 botërorët radhazi, kombëtarja e Të Kaltërve po kërkon ende mënyrën për të rinisur gjithçka nga e para pas natës dramatike të Zenica.
Tani kjo detyrë është në duart e presidentit të ri të Federatës Italiane të Futbollit, Giovanni Malago, që në këto javë po kërkon formulën dhe njerëzit e duhur për rilindjen e skuadrës 4 herë kampione të botës dhe këtë kërkon ta bëjë duke nisur nga Drejtori Teknik.
‘Kjo është java e Drejtorit Teknik, nuk ndryshoj opinion, është e enjte dhe shpresoj që në fundjavë të qetësoj gjithçka-tha Malago në një ceremoni të diplomave Honoris Causa të ACS Asomi College of Science në CONI-po punoj shumë, mund të kemi edhe një surprizë’.
Kështu, këto janë orë vendimtare për Drejtorin e ri Teknik të Të Kaltërve, por emri i tij vazhdon të jetë i rrethuar nga misteri, sepse sa më shumë kalon koha, reduktohen gjithnjë e më shumë mundësitë që në këtë pozicion të jetë Paolo Maldini, që ishte zgjedhja e parë e Malago.
Presidenti i FIGC pret dhe shpreson ende, por koha sa vjen e ngushtohet dhe ditë pas dite rritet bindja se ish mbrojtësi legjendar i Milanit dhe kombëtares italiane nuk do ta pranojë këtë detyrë, kjo edhe sepse nëse do të bëjë këtë do të thotë se do t’i duhet të spostojë jetën në Romë, diçka që është e vështirë të mendohet duke njohur zakonet e tij.
‘Në momentin që do të kalojmë këtë argument të parë, të Drejtorit Teknik, mund të vijohet më me lehtësi për pjesën tjetër-shtoi Malago kur u pyet pët emrin e trajnerit të ri, por fraza më interesante ishte ajo ku flitej për një surprizë të mundshme.
Nëse nuk do të jetë Paolo Maldini, kush do të jetë Drejtori i ri Teknik i Të Kaltërve? Për momentin në pole position janë dy ish shokë skuadre të tij te Milani, Alessandro Costacurta dhe Demetrio Albertini, por edhe pse me të distancuar, nuk mund të përjashtohen as Giuseppe Bergomio dhe Gianfranco Zola që pëlqehen për kompetencat e tyre nga disa prej anëtarëve të Federatës.
Tani mbetet vetëm të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë, teksa brenda së dielës mund të zgjidhen të gjitha dyshimet për pozicionin e Drejtorit Teknik të Italisë.
Top Channel