Pas vendimit të Kushtetueses, avokati i Veliajt dorëzon në Gjykatën e Lartë përshpejtimin e gjykimit ndaj kryebashkiakut

08/07/2026 08:44

Me kërkesën që Gjykata e Lartë të përshpejtojë gjykimin e urdhëruar nga Gjykata Kushtetuese, kryebashkiaku i Tiranës kërkon heqjen e masës “arrest në burg” dhe lirimin e menjëhershëm.

Në shkresat që gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha disponon, mbrojtësi Plarent Ndreca përmend se, nëse kjo gjykatë e kthen çështjen e masës së sigurisë për rishqyrtim në gjykatat më të ulëta, vendimmarrja rrezikon të humbasë çdo efekt mbi mandatin e kryebashkiakut, të marrë në qershor 2023 dhe që përfundon në qershor 2027.

Çdo muaj i kaluar nën një masë që e bën të pamundur ushtrimin e funksionit është jo vetëm kufizim i lirisë së Veliajt, por edhe konsumim i mandatit të dhënë nga zgjedhësit”, thuhet në shkresën e dorëzuar në Gjykatën e Lartë.

Duke iu referuar vendimit të Kolegjeve të Bashkuara, që orienton gjyqësorin të individualizojë masën e sigurisë personale, duke argumentuar se përse nuk është dhënë një masë më e butë, Veliaj rendit qëndrimet e gjyqtarëve kushtetues dhe detyrat që ata i lënë Gjykatës së Lartë për rastin e tij.

Mbrojtësi argumenton se: “Në thelb, vendimi i Gjykatës Kushtetuese vendos dy detyra të drejtpërdrejta për Gjykatën e Lartë: së pari, të shqyrtojë në mënyrë konkrete dhe të arsyetuar proporcionalitetin e masës ‘arresti në burg’, duke përfshirë pasojat e saj mbi ushtrimin efektiv të funksionit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës; së dyti, të japë përgjigje të shprehur dhe të arsyetuar për pretendimin se mbajtja e kërkuesit në kabinën e xhamit ka cenuar dinjitetin dhe prezumimin e pafajësisë.

Për masën e sigurisë, mbrojtja shkruan se Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte ushtruar një kontroll efektiv mbi pretendimet thelbësore të Veliajt, i cili këmbëngul se gjykatat nuk kanë individualizuar rreziqet dhe nevojat e sigurimit, por janë mbështetur në vlerësime të përgjithshme për statusin, funksionin publik, mundësitë financiare, lëvizjet jashtë vendit dhe rrezikshmërinë e veprave.

Një tjetër argument i mbrojtjes është referimi te vendimi i Komisionit të Venecias.

Nën këtë dritë, mbrojtja shpjegon se edhe kur rregullat e zakonshme për paraburgimin zbatohen ndaj përfaqësuesve vendorë të zgjedhur, autoritetet gjyqësore duhet t’u kushtojnë vëmendje të posaçme pasojave të mundshme mbi ushtrimin efektiv të funksionit të zgjedhur dhe mbi pjesëmarrjen politike efektive.

Kërkesat e Veliajt për të dalë nga “kafazi i xhamit” dhe po ashtu edhe nga qelia, u dorëzuan pa kaluar shumë kohë nga zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila jozyrtarisht deklaroi për TCH se e ka përcjellë vendimin në Gjykatën e Lartë.

Top Channel