Pasiguria për kandidaturën e Marine Le Pen rrit shanset e RN-së, Jordan Bardella përgatitet për garën presidenciale në Francë

07/07/2026 13:09

Partia e ekstremit të djathtë Rassemblement National po përgatitet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 në Francë, ndërsa pritet vendimi i apelit ndaj Marine Le Pen, e cila rrezikon të mbetet e përjashtuar nga gara për shkak të një çështjeje që lidhet me keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian.

Nëse ajo nuk lejohet të kandidojë, kandidati i RN pritet të jetë Jordan Bardella. Sondazhet tregojnë se si Le Pen ashtu edhe Bardella do të kryesonin raundin e parë të zgjedhjeve, dhe kjo e bën një fitore të RN-së më të mundshme se kurrë. Analistët vlerësojnë se strategjia e partisë për t’u distancuar nga imazhi i saj i mëparshëm radikal dhe për t’u paraqitur si një forcë e gatshme për të qeverisur, ka zgjeruar ndjeshëm mbështetjen e elektoratit për të.

Në politikën e jashtme, RN po ndryshon qasjen edhe ndaj Gjermanisë. Ndryshe nga e kaluara, Bardella ka shprehur vlerësime për kancelarin Friedrich Merz, duke theksuar se ekziston një “bazë e përbashkët ideologjike”, veçanërisht për çështjet e emigracionit dhe kritikat ndaj disa politikave të BE-së të lidhura me klimën.

Rassemblement National është distancuar gjithashtu nga partia gjermane AfD, të cilën e konsideron tepër radikale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një fitore e RN-së mund të sjellë tensione mes Parisit dhe Berlinit, sidomos për politikat energjetike, buxhetin e BE-së dhe integrimin evropian.

Por pavarësisht mosmarrëveshjeve të mundshme, ata nuk presin një cenim të bashkëpunimit franko-gjerman, e këtë e ilustrojnë me shembullin e qeverisë së Giorgia Melonit në Itali e cila u kthye në një partnere funksionale për vendet e BE-së pas ardhjes në pushtet.

Top Channel