Epoka e re e Milanit ka nisur zyrtarisht. Ruben Amorim ka zbarkuar sot në Milano, duke hedhur hapat e parë si trajner i kuqezinjve.

I mirëpritur nga entuziazmi i ambientit, tekniku portugez nuk e ka fshehur krenarinë për marrjen e drejtimit të një prej klubeve më prestigjioze në botë.

“Jam vërtet shumë i lumtur që jam këtu,” deklaroi Amorim pak pas mbërritjes në Linate. “Është një nder të jesh trajner i Milanit. Pse zgjodha Milanin? Është një klub shumë special dhe një sfidë e madhe. Nuk jam naiv, e di që kemi shumë punë për të bërë, por nëse je trajner i Milanit, objektivi është gjithmonë fitorja. Nuk mund të vish këtu pa këtë mentalitet.”

Amorim, i cili ka firmosur një kontratë deri në vitin 2029, do të nisë punën në Milanello këtë të martë për të inspektuar strukturat, përpara radunimit zyrtar të skuadrës më 13 korrik.

Ndërkohë, lëvizjet në merkato nuk ndalen. Pas afrimit të Gonçalo Ramos, drejtuesit e Milanit janë pranë mbylljes së marrëveshjes për Mario Gila. Agjenti i mbrojtësit ndodhet në Romë për të negociuar ofertën prej 25 milionë eurosh plus bonuset, një përforcim që shihet si kyç nga vetë Amorim për vizionin e tij taktik.

Top Channel