Ange Postecoglou është emëruar trajner i ri i Al Nassr, duke firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin saudit, ku do të ketë nën urdhrat e tij edhe Cristiano Ronaldon.

Lajmi u konfirmua nga vetë Al Nassr përmes një njoftimi në rrjetet sociale. “Një kapitull i ri. Z. Ange Postecoglou është trajneri i ekipit të parë të Al Nassr. Kontrata e tij është e vlefshme për dy sezone. I urojmë atij dhe stafit të tij shumë suksese në rrugëtimin me klubin tonë”, shkruan klubi.

Tekniku australian zëvendëson Jorge Jesus, i cili u largua nga drejtimi i skuadrës pasi e udhëhoqi drejt fitimit të titullit kampion.

Postecoglou mbeti pa skuadër pasi u shkarkua nga Tottenham Hotspur dhe më pas pati një eksperiencë të shkurtër edhe te Nottingham Forest, ndërsa emri i tij ishte përfolur edhe si një nga kandidatët për të marrë drejtimin e kombëtares së Skocisë.

Në Al Nassr, trajneri 60-vjeçar nuk do të ketë në dispozicion vetëm yllin portugez Cristiano Ronaldo, por edhe futbollistë të njohur si Sadio Mané, Kingsley Coman dhe João Félix, me objektivin për të rikthyer klubin në majat e futbollit saudit dhe aziatik.

Top Channel