Presidenti i Federatës, Giovanni Malagò, ka thyer heshtjen lidhur me të ardhmen e kombëtares italiane dhe procesin për zgjedhjen e trajnerit të ri.

Gjatë një prononcimi të fundit, ai la të kuptohet se kërkimi është më i gjerë sesa mendohej dhe zbuloi prapaskena të rëndësishme për rolin e drejtorit teknik.

“Garë mes dy emrave për trajnerin e ri të Italisë? Jo dhe aq,” u shpreh Malagò, duke shtuar se për shkak të emergjencës aktuale, federata është e detyruar të shohë në treg për një zgjidhje të jashtme. Megjithatë, ai theksoi se nuk dëshiron ta marrë këtë vendim i vetëm: “Dua ta ndaj këtë zgjedhje me dikë që di më shumë se unë, me një drejtor teknik të famshëm që mbase mund të bëhet edhe president i Club Italia.”

Pikërisht për këtë rol, emri më i përfolur është ai i legjendës Paolo Maldini. I pyetur drejtpërdrejt për të, numri një i federatës as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi, por fjalët e tij ishin një sinjal i qartë: “Mund të them se Paolo Maldini ka kualitetet dhe karakteristikat që italianët presin nga personi që duhet të kryejë këtë detyrë. Jam shumë i afërt me këtë njeri dhe së bashku me të do të fillojmë të bëjmë zgjedhjen e trajnerit.”

Në fund, Malagò theksoi edhe një çështje thelbësore si “Ius soli sportiv”, duke bërë thirrje për thjeshtimin e procedurave të pajisjes me pasaportë italiane për sportistët e rinj që rriten në vend, me qëllim që të mos humbasin talentet që mund t’i shërbejnë kombëtares.

Top Channel