Turisti francez humb kontrollin e makinës dhe përplaset me barrierën mbrojtëse në Sarandë, raportohet vetëm për dëme materiale
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë aktivitetit të zhvilluar në Durrës, ka njoftuar masat e marra për shmangien e problematikave gjatë sezonit veror në zonat bregdetare.
“35 motorë uji, personel i trajnuar, patrullime intensive në të gjithë vijën bregdetare dhe monitorim nga ajri me dronë do të jenë në funksion të sigurisë së pushuesve”, tha Lamallari.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Policia Kufitare do të përdorë teknologji të reja dhe lidhjen direkte me sistemin TIMS për të lehtësuar procedurat për jahtet, velierat dhe mjetet e tjera lundruese që vizitojnë Shqipërinë.
“Policia Kufitare është shpesh fytyra e parë e shtetit shqiptar për miliona vizitorë që hyjnë në vendin tonë. Krahas garantimit të sigurisë kufitare, misioni i saj është të ofrojë një shërbim profesional, korrekt dhe dinjitoz për çdo qytetar shqiptar dhe të huaj”, u shpreh ministri.
Sipas tij, gjatë vitit 2025, Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare u kanë ardhur në ndihmë 231 qytetarëve dhe 80 mjeteve lundruese në vështirësi në det, ndërsa janë kontrolluar mbi 5 600 mjete lundruese e janë ndëshkuar shkeljet që rrezikonin sigurinë e pushuesve.
Ndërkohë kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se Policia e Shtetit ka riorganizuar shërbimet dhe ka lehtësuar procedurat në bashkëpunim me vendet fqinje, për të reduktuar kohën e pritjes në kufij.
“Patrullimet dhe monitorimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare, në bashkëpunim dhe me rojën bregdetare që përvit është në mbështetjen tonë dhe të sigurisë detare. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë sezon Njësia Policore Detare do mbështetet në mënyrë të integruar dhe nga ajri, me monitorim përmes dronëve, për të garantuar një kontroll më gjithëpërfshirës të territorit.
Theksoj se nuk do të tolerohet asnjë lloj shkeljeje me mjete lundruese që rrezikon jetën e pushuesve. Kontrollet ndaj mjeteve lundruese, nga motorët e ujit, te skafet dhe anijet turistike, do të jenë të rrepta e të pandërprera, duke verifikuar me rigorozitet dokumentacionin, si dhe respektimin e korridoreve të sigurisë dhe vendbazimeve të miratuara.
Ndërkohë duke filluar nga ky sezon, po aplikojmë një risi të rëndësishme teknologjike, shërbimet tona do të kryejnë verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve të huaja lundruese direkt në hapësirën detare, nëpërmjet tabletave të lidhura me sistemin TIMS, duke lehtësuar procedurat pa pasur nevojë që të bregëzohen apo paraqiten për regjistrim në pikat e kalimit kufitar”, tha Hita.
Top Channel