Të rinjtë shqiptarë po i largohen gjithnjë e më shumë studimeve në fushën e bujqësisë.
Në vitin akademik 2025-2026, numri i studentëve që zgjodhën si profesion agronominë pësoi rënie, por nga ana tjetër shifrat shënojnë rritje për mjekësinë veterinare dhe inxhinierinë e ujërave dhe mjedisit.
Sipas rektorit të UBT-së, Fatbardha Sallaku, maturantët qëndrojnë larg degëve të bujqësisë pasi vazhdojnë të kenë një mendësi të lidhur me bujqësinë tradicionale, ndërkohë që e ardhmja i përket bujqësisë teknologjike.
“Është e vërtetë që degët që preferohen më pak nga të rinjtë janë ato në fushën e bujqësisë, si inxhinieria e bujqësisë, zooteknia dhe peshkimi. Kjo ndodh sepse të rinjtë mendojnë se, nëse zgjedhin këto degë, do t’u duhet të qëndrojnë çdo ditë në fermë apo serë. Ndërkohë, koha ka ndryshuar, pasi po shkojmë drejt bujqësisë smart dhe dixhitale”, u shpreh rektorja e UBT-së, Fatbardha Sallaku.
Reforma e UBT-së, sipas modelit BOKU të Vjenës, në vitin e ri akademik do të shtrihet edhe në studimet pasuniversitare. Kështu, në tetor UBT do të ofrojë 13 programe bachelor dhe 18 programe master.
“UBT futet në një paketë të studimeve pasuniversitare, të cilat reflektojnë zhvillimet që kemi nisur dhe kërkesat e tregut. Kështu, nga 45 mastera profesionalë dhe shkencorë që kemi pasur, tashmë kemi vetëm një lloj masteri, me 18 programe gjithsej, të cilat janë të fokusuara në kompetencat kryesore të UBT-së”, u shpreh Sallaku.
Ridizenjimi i degëve të UBT-së solli gjithashtu reduktimin e leksioneve në auditore, duke rritur numrin e orëve të praktikës, pasi studentët tashmë e mësojnë profesionin e tyre në terren dhe në laboratorë.
Top Channel