Nga Artan Fuga

Flit, por edhe dëgjo!

Se po nuk dëgjove mëkati do të bjerë në kokë. Dhe fajin nuk ta ka Zoti, as komshiu, por e ke vetë në radhë të parë!

Aftësia kryesore e njeriut të mënçur është të dëgjojë!

Sepse në eufori kur nuk dëgjon ikën në drejtim të paditur.

Madje kur ndihet i sigurt, vetëm flet dhe përsëri nuk dëgjon!

Janë dy rastet kur bën gabime që pastaj duhen dekada, përse jo shekuj për t’i ndrequr ose nuk ndreqen kurrë.

Sot ne jemi në ditë kur i gjithë kombi kërkon llogari për rezultatet e këtyre dyzet viteve të paskomunizmit! Ka shumë të drejtë, është drejta e tij legjitime! Mirë do të kishte qenë ta kishte bërë më herë, por ka heshtur, jo vetëm ka heshtur, por edhe kur i është thënë : Kujdes, ka rrezik që ta pësosh! – nuk është se ka dëgjuar. Normal në një farë mënyre sepse jeta të merr me vete!

Por sot duhet të dëgjojnë të gjithë atë që thotë populli jo vetëm në shesh, që është një ngjarje jo vetëm e bukur – siç thonë – sikur të flitej për një film të Holliwoodit- por mbi të gjitha i rëndësishëm për fatet historike të kombit!

Por, ata s’po dëgjojnë. Po përpiqen të gjejnë skenarë komplotistë ose t’ja hedhin fajet njeri tjetrit!

Dëgjojnë atë që duan vetë të dëgjojnë!

Kujtojnë se është çështje pelikanësh! Nuk është fati i pelikanit, o zotëri, është fati i njeriut!

Pelikanizohet protesta.

Ne jemi në një krizë sociopolitike kombëtare. Në prag të kaosit! Në zgrip të tragjedisë kombëtare!

Mirëpo shumë gjëra janë thënë dy dekada më parë, janë përsëritur, dhe ato si kanë dëgjuar as qytetarët, as ojf, as intelektualët, as politikanët, as qeveritarët, jo e jo. Këta të fundit janë përgjegjësit kryesorë për shurdhërinë e tyre plot faj. Nuk i kanë dëgjuar edhe disa media që nuk janë tjetër veçse sektorë agjitropi staliniste!

Në librin tim “Shoqëria Periferike” (Botimet Papirus) kam thirrur me sa kam pasur zë se kujdes, disa gjëra që tani na duken të mira nuk janë veçse pilula me helm, boma me shpërthim me vonesë, që pas një kohe do t’ua shohim hairin, do e pësojmë rëndë, do të na bien tullat dhe trungjet e tavanit në kokë.

Ja po numuroj disa:

– Po ikni në emigrim, po kënaqeni dhe mburreni se të ikurit po dërgojnë remitanca, pra parà në shtëpi? Po gëzoheni? Dijeni se remitancat e shkatërrojnë ekonominë vendase dhe gjithë shoqërinë.

– Po gëzoheni që nuk ju detyrojnë të punoni si dikur? Doni të cliroheni nga puna, boll jeni lodhur, tani ka ardhur koha e jetës pa shumë mund? Do të shihni si papunësia do ju bjerë në kokë dhe pas një kohe do të na ketë humbur fare dëshira për punë.

– Doni t’i ikni fshatin, qyteteve të vogëla, maleve dhe kodrave? Aferim! Por do të shikoni se çfarë skëterre do të bëhet qyteti i madh ku do të zhytemi të gjithë si minjtë. Punë, jo, identitet jo, mjedis i ndotur, anomi, s’do e njohi qeni të zonë!  Lëre pasuritë e natyrës i keni lënë djerrë!

– Po merrni pronën e gjyshërve dhe po e ndani në dhjetë duar, po e shisni dhe me ato lekë po shkoni plazheve, turizma, po hani dhe po pini, dhe kujtoni se jeni të lumtur? Hahahaha! Prisni se do e dëgjoni krismën! Po bëni rrush e kumbulla pasurinë që parardhësit e kanë ngritur me thonj e dhëmbë!

– Po privatizoni pasuritë publike, toka, ndërmarrje, e më the e të thashë, dhe po gëzoheni se me to paguani pensionet e miletit, rambursoni barna? Prisni se pas qafe do e kemi! Pasi t’i shesim dhe t’i bëjmë rrush e kumbulla ato lekë, arkat e shtetit do të mbeten bosh si dollapet e një shtëpie ku i zoti pi gjithë ditën!

– Po gëzoheni se ju falën apartamentet e qelbura të kohës së komunizmit dhe ju duket vetja të lumtur? Jeni sikur keni marrë drogë? Prisni se pas dyzet vjetësh ato do të amortizohen dhe pastaj nuk do të keni ku të fusni kokën, lëre brezi tjetër nuk do të ketë një dhomë ku të vendosi shtratin bashkëshortor për të konsumuar martesën!

– Gëzoheshit se ekonomia supeliberale shqiptare po i jepte mend botës, dhe se çdo njeri hapte një universitet, një media, një farmaci, një dyqan cikërimash, një tezgë fruta perimesh të kalbura? Ju duket liri demokraci! Mirë atëhere dhjetë dyqane në një lagje, tridhjetë universitete në një qytet, 200 media, ku thërmimi i klientelës, i bën të gjitha të falimentojnë. Thuaj tani se je biznesmen!

– U gëzove se shtëpinë dykatëshe që ta ka baba e prishe dhe e dhe sheshin e ndërtimit për kullë? T’u duk mirë hë? Hallall të qoftë! – t’u tha. More tre dyqane, dy garazhe? Të gjithë morën dyqane, po cfarë do shesin aty? Ku ta gjej makinën t’a fus në garazh?

Etj etj

Ju janë thënë o qeveritarë, por kurrë nuk keni dashur të dëgjoni! Tani dëgjoni sheshin që ju do në hapsanë!

Por, edhe qytetarët nuk kanë dashur të dëgjojnë, në euforinë e parasë së shpejtë, në frymëzimin për të rendur pa parë majtas e djathtas për pasuri, parà, për qejfe, për jetë të lehtë pa shumë mundime, nuk kanë dëgjuar!

Kemi bërë mëkate të rënda, tani është ndëshkimi. Por jo i Zotit! Ndëshkimi i vetvetes!

Kur do të mësohemi të dëgjojmë?

Apo ne nuk dëgjojmë dot, por vetëm flasim!

Po nuk dëgjove duke kujtuar se i di gjërat, hapi i parë për në greminë është hedhur!

Top Channel