Nisin fluturimet Tiranë-Toronto, inaugurohet lidhja e re ajrore me Kanadanë, udhëtarët shmangin tranzitin  

19/06/2026 19:36

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi këtë të premte nisjen e fluturimit të parë direkt drejt Torontos, Kanada. Kjo linjë e re shënon një arritje historike për industrinë e aviacionit në Shqipëri, duke qenë fluturimi i parë transoqeanik në historinë e vendit.

Avioni Airbus A330-200, i nisur nga Toronto, u ul në TIA në orën 13:30, ku u prit në një ceremoni të veçantë nga Ministri i Energjisë dhe Transportit, z.Enea Karakaçi, si dhe nga drejtues të lartë të Kastrati Group dhe TIA-s.

Air Transat, e vlerësuar si “Kompania më e mirë ajrore për udhëtime turistike në botë” nga Skytrax World Airline Aëards, është partneri më i ri i TIA-s dhe do të operojë një fluturim në javë, çdo të premte, deri më 8 tetor 2026. Avioni i kësaj linje është i dedikuar për fluturime të gjata dhe garanton një udhëtim të rehatshëm, me shërbim sipas standardeve më të larta. Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama pjesë e ceremonisë inaguruese vlerësoi punë e bërë nga aeroporti i Tiranës duke i cilësuar të dhënat e arritura të jashtëzakonshme.

 “Aeroporti i Tiranës prej disa vitesh mban vendin e parë në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve. Në 2016-n, kur filloi një fazë e re në punën e përbashkët për transformimin e mëtejshëm të aeroportit dhe modernizimin e aviacionit tonë civil, kishte vetëm 22 mijë fluturime në vit për 2.2 milionë pasagjerë. Më pak se 10 vite më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë, një shifër që ne parashohim të kalojë 100 mijë në fund të kësaj dekade dhe në fillim të dekadës tjetër. Ashtu si, nga ana tjetër, nuk është vetëm rritja e numrit të pasagjerëve, por është edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit”, u shpreh Kryeministri Rama në fjalën e tij gjatë ceremonisë.

“Si e vetmja kompani ajrore që ofron një fluturim pa ndalesë mes Amerikës së Veriut dhe Tiranës, jemi jashtëzakonisht krenarë që sjellim shërbimin tonë në këtë linjë unike”, tha Howard Liebman, zv.President Për Marrëdhëniet Qeveritare, Air Transat.

“Ky fluturim i parë ndërkontinental nga TIA hap një portë strategjike drejt Atlantikut të Veriut, duke e afruar Shqipërinë me një nga komunitetet e saj më të rëndësishme të diasporës dhe duke krijuar mundësi të reja për turizmin, tregtinë dhe investimet”, u shpreh Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional, Tia.

Vendosja e fluturimeve direkte mes Shqipërisë dhe Kanadasë ka një ndikim që shkon përtej kufijve të Shqipërisë; ajo do të shërbejë si portë lidhëse me Amerikën e Veriut për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

 “Udhëtimi zgjati rreth 8 orë, cdo gjë shkoi shumë mirë. Air Transat ofron të gjitha kushtet e nevojshme. Të gjitha vendet pothuajse u rezervuan nga qytetarët si në premium economy class dhe në economy class. Një linjë e tillë ndërkontinentale me Shqipërinë është mjaftë domethënëse”, deklaroi Yohann Naudy, përfaqësues Air Transat.

Falë investimit të vazhdueshëm të Kastrati Group, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është transformuar në aeroportin më të frekuentuar të rajonit dhe tashmë përmbush standardet e aviacionit modern për fluturime ndërkontinentale.

Top Channel