I rritur në “La Masia”, por sot lojtar i Real Madrid, Cucurella flet për herë të parë: Transferimi u mbyll për dy ditë, ja çfarë më tha Mourinho

18/06/2026 13:47

Marc Cucurella ka folur për herë të parë pas transferimit surprizë te Real Madrid, duke treguar se vendimi për t’iu bashkuar klubit madrilen u mor brenda pak ditësh dhe pa asnjë hezitim.

Mbrojtësi i majtë 27-vjeçar u zyrtarizua nga Real Madridi në të njëjtën ditë kur luajti me kombëtaren spanjolle në barazimin 0-0 ndaj Cape Verde. “Los Blancos” do të paguajnë 55 milionë euro plus 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh për kartonin e ish-lojtarit të Chelsea FC.

Në një intervistë për gazetën “El Mundo”, Cucurella zbuloi se gjithçka u mbyll shumë shpejt. “Gjithçka u bë brenda një dite e gjysmë ose dy ditësh. Për mua ishte më mirë kështu, më shpejt dhe pa dhimbje koke,” tha ai. Futbollisti spanjoll pranoi se kishte oferta të tjera në tavolinë, por sapo mbërriti propozimi nga Real Madridi, zgjedhja ishte e qartë.

“Kishte mundësi të ndryshme, por kur erdhi oferta e Real Madridit, nuk hezitova. Është një mundësi unike. Të luash për Real Madridin është një nder që jo shumë lojtarë mund ta përjetojnë. Ky klub ka një mistikë të veçantë dhe është skuadra me më shumë trofe në Ligën e Kampionëve,” u shpreh Cucurella.

I pyetur për faktin se ka kaluar në akademinë e Barcelonës, mbrojtësi theksoi se futbolli është plot me etapa të ndryshme.

“Jeta ka faza të ndryshme dhe më është dashur të marr një vendim të rëndësishëm. Nuk kam asnjë dyshim për zgjedhjen time. Çdo futbollist ëndërron të luajë për klubet më të mëdha dhe Real Madridi është padyshim një prej tyre,” deklaroi ai.

Cucurella foli edhe për kontaktin e tij me trajnerin e ri, José Mourinho. “Folëm dhe ai më tha se mezi priste të punonte me mua. Më tha se do të përshtatesha shumë mirë dhe se Real Madridi është një klub i jashtëzakonshëm. Më pas më uroi fat në Kupën e Botës dhe më tha se do të shihemi në Madrid,” tregoi mbrojtësi.

Ai shtoi se ndihet i vlerësuar nga besimi që i ka treguar trajneri portugez dhe se mezi pret të nisë aventurën e re. Në fund, Cucurella theksoi se karakteri i tij përputhet me filozofinë e Real Madridit.

“Jam një lojtar që punon shumë dhe nuk dorëzohet kurrë. Përpiqem të jap maksimumin deri në sekondën e fundit. Mendoj se kjo është pjesë e ADN-së së Real Madridit: të luftosh deri në fund,” përfundoi ai.

Top Channel