Gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Meta, prokurori Kllapi: Fatime Kryemadhi në pension, por shlyente kredi qindra mijë euro. Vetëm 200 mijë dollarë janë të ligjshme

18/06/2026 11:54
Foto ilustruese

Në gjyqin e themelit ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit, SPAK ka vijuar paraqitjen e fakteve dhe të dhënave të hetimit, duke u ndalur te transaksionet financiare për blerjen e apartamenteve në zonën e ish-Bllokut.

Prokurori Sotir Kllapi, deklaroi në sallën e gjyqit se gjatë viteve 2008-2009 Meta dhe Kryemadhi kanë jetuar në dy apartamente në ish-Bllok, ndërsa ngriti pretendime për burimin e shumave të përdorura për blerjen e tyre.

Sipas prokurorit Kllapi, një apartament ku jetonte Ilir Meta do të blihej me vlerë 400 mijë euro, ndërsa një tjetër nga Fatime Kryemadhi me vlerë rreth 300 mijë euro. Prokuroria pretendon se një pjesë e këtyre transaksioneve nuk justifikohen me burime të ligjshme financiare.

DISKUTIMET NË SEANCË:

Prokurori Kllapi: Në vitet 2008-2009, Meta dhe Kryemadhi kanë jetuar në zonën e ish-Bllokut.

Meta do të blinte një apartament në rrugën “Vaso Pasha” me vlerë 400 mijë euro. Ndërsa një kat më poshtë do të blinte Fatime Kryemadhi një apartament me vlerë 300 mijë euro.

Më herët, Monika Kryemadhi ka marrë disa overdrafte nga një bankë e nivelit të dytë, të cilat janë shlyer në një kohë të shkurtër nga Fatime Kryemadhi, në atë kohë pensioniste.

Ka dyshime se shumat e parave të marra nga Monika Kryemadhi nuk janë përdorur, por janë depozituar nga Fatime Kryemadhi.

Në vitin 2009, bashkëshortët kanë vendosur të blejnë një banesë në shumën 400 mijë USD, ndërsa Fatime Kryemadhi 310 mijë euro.

Për shlyerjen e kësaj kontrate, Meta dhe Kryemadhi kanë marrë një kredi prej 200 mijë USD. Për shumën tjetër, kanë pretenduar se do të përdornin një shumë prej 200 mijë USD cash, që u kishte mbetur nga transaksioni i pakryer për një vilë në Qerret.

Fatime Kryemadhi jo vetëm që ka depozituar shuma cash, por të dy kreditë shlyhen në bankë për 7 muaj.

Në total, Fatime Kryemadhi rezulton me një disbalancë prej 810 mijë eurosh.

Mekanizmi i lidhjes së dy kontratave të ndryshme është bërë për të futur në rrugë bankare shuma monetare pa burim të ligjshëm.

Meta dhe Kryemadhi nuk kishin mundësi për to, por as Fatime Kryemadhi. Kjo e fundit kishte mundësi vetëm për 100 mijë euro.

Në banesën e saj janë gjetur tre fatura për tërheqjen e 235 mijë USD, por të firmosura nga personi që i shiti apartamentin bashkëshortëve Meta-Kryemadhi.

Rezulton që për të tre ekziston një disbalancë prej 846 mijë USD.

Janë vetëm 200 mijë USD të ligjshme, të ardhura nga kredia.

Cakrani: Dëgjojeni, po flasin me perceptime.

Gjykata: Avokat, po ju tërheq vëmendjen për të tretën herë.

SPAK: Gjatë kontrollit të banesës së Fatimes janë gjetur edhe tre mandate, sikur ka bërë tërheqje në bankë. Të dyja familjet, vetëm me këto transaksione, nuk justifikojnë shumën totale prej 860 mijë dollarësh. Janë vetëm 200 mijë dollarë të ligjshme dhe nuk kanë ekzistuar shuma cash.

SPAK rendit të gjitha pagesat e pajustifikuara nga çifti Meta-Kryemadhi, mes tyre pagesat për arsimimin e fëmijëve dhe pagesat në Londër: Nuk janë deklaruar shpenzimet në klinika mjekësore.

SPAK: Nuk janë deklaruar shpenzime mjekësore në Austri, të shpenzuar nga Kryemadhi, Ilir Meta, Bora dhe Era Meta. Nga të gjitha episodet, çifti i bashkëshortëve, nuk kanë bërë deklarime por s’kemi ngritur akuza për të gjitha.

Meta: Më vjen keq për tensionin artificial që u krijua, por nuk u bë për shkakun tim. Unë një shenjë bëra, nuk fola fare. Dua të jem njeri korrekt. Fuqia ime është korrektesa dhe e vërteta. Nuk ka pushtet perfekt. Zoti prokuror e nisi jo aty ku e kishte lënë. Çfarë nuk kam deklaruar unë në vitin 2020? Për çfarë akuzohem unë? Ju dëgjuat një listë me shpenzime në Londër, ua kam thënë tregojini gjykatës një shpenzim timin të padeklaruar.

Nga ju z.gjykatës kërkoj të individualizojnë përgjegjësinë. Te Cez Dia s’ka lidhje Kryemadhi.

Top Channel