Në gjyqin e themelit ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pyetjen e dhjetëra dëshmitarëve gjatë procesit gjyqësor.

Lista e SPAK përfshin persona nga fusha të ndryshme, mes tyre ish-zyrtarë, politikanë, biznesmenë dhe persona të përfshirë në episodet që po shqyrtohen në kuadër të hetimit.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se SPAK kërkon pyetjen e dhjetëra dëshmitarëve, mes të cilëve:

Jozef Hajsek, Ervis Mataj, Ardian Shatku, Pirro Xhixho, Ema Çoku, Esmeralda Shkjau, Ardian Shatku, Kastriot Ismailaj, Vojsava Ismailaj, Milena Harito, Perparim Spahiu, Sokol Hysenaj, Majlind Lazimi, Agron Cela, Luan Rama, Endrit Brahimllari, Samir Mane, Petrit Vasili, Spartak Braho, Ilir Kulla, Fatos Mahmutaj, Theodhori Çami, Nasip Naco, Vangjel Tavo, Lindita Troka, Baton Haxhiu, Erjol Brahimllari, Damian Gjiknuri dhr Ralf Gjoni.

Diskutimet në gjyq:

Meta: Fuqia ime është korrektesa. Unë ngrita gishtin, kërkova leje dhe ju thatë: “Mos prisni solemnitetin”.

E bëra këtë sepse prokurori nuk e filloi aty ku e kishte lënë, por replikoi mbi ato që unë thashë në seancën e kaluar.

Ne jemi në një marrëdhënie mosbesimi për shkak të veprimeve që ka kryer organi i procedurës. Jemi dakord për dëshmitarët, të thirren të gjithë.

Për ekonomi gjyqësore, le të pyeten nëse u qëndrojnë deklarimeve që kanë dhënë më parë. Kjo sepse ne më pas duhet të pyesim dëshmitarë të tjerë.

Tani, për mosdeklarimin. Çfarë nuk kam deklaruar unë në vitin 2020? Çfarë? A kam firmosur unë një deklaratë të bashkëshortes në mirëbesim? Ndoshta po.

Ndërhyn Monika Kryemadhi: Jo, nuk e ke bërë. Tregojini gjykatës një shpenzim timin të padeklaruar. Thatë se me kartën time janë paguar mijëra euro. Unë nuk kam pasur kartë. Nuk kam qenë në asnjë dyqan në Londër, përveç dyqaneve të Celtic.

I lutem gjykatës të individualizojë përgjegjësitë. Nëse unë kam bërë një shpenzim, të më thuhet. Nëse e ka bërë zonja, ajo është madhore dhe mund të përgjigjet vetë. Ajo dhe Fatime Kryemadhi kanë pasur të ardhura, pasi kanë zotëruar sipërfaqe trualli të ligjshme.

Unë nuk jam marrë kurrë me shpenzimet familjare. Nuk jam marrë kurrë me punët e shtëpisë, me blerje apo gjëra të tjera. Me to është marrë zonja.

Meta: Zoti prokuror, a keni ndonjë komunikim mes meje dhe Samir Manes?

Meta: Nuk ka asnjë lidhje mes zonjës Kryemadhi dhe CEZ-DIA. Te CEZ-DIA jam unë. Nuk ka askënd tjetër. Romeo Karaj duhet të vijë këtu. Ai ka kryer një akt të shëmtuar dhe ka kërcënuar kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në fillim të kësaj seance, prokurori Kllapi nuk pati vullnetin të bëjë rolin e prokurorit në çështjen e lobimit. Shpresoj që gjykata ta ketë këtë vullnet.

Marrëdhënia mes LSI-së dhe GSIS ka nisur me një e-mail. Kjo kontratë nuk është firmosur nga Ilir Meta, por nga përfaqësues të LSI-së.

Qëllimi i kontratës ka qenë Reforma në Drejtësi. Në janar kishte mbërritur qëndrimi i Komisionit të Venecias. Më pas, grupet parlamentare dërguan qëndrimet e tyre pranë këtij komisioni.

Kontrata është e qartë. Çdo faturë dhe çdo shpenzim do të paguhej brenda 45 ditëve kalendarike nga marrja e faturës. Për këtë autorizohej një pagesë nga llogaria e LSI-së në llogarinë e GSIS.

Ajo që nuk thonë zotërinjtë është se kontrata është lidhur më 3 shkurt. Por a ka vazhduar zbatimi i saj?

Ata, prokurorët, kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe gjykatën.

Kontrata parashikon se nuk mund të kryhet asnjë veprim pa pëlqimin e palës tjetër.

Top Channel