Raporti i KLSH për vitin 2025, tetë ndjekje penale dhe probleme në menaxhimin e të ardhurave: 26.2 mld lekë dëm”

15/06/2026 19:56

Mangësi në mbledhjen e të ardhurave, detyrime të papaguara, probleme në investimet publike dhe shkelje në zbatimin e kontratave.

Këto janë disa nga problematikat kryesore të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin vjetor për vitin 2025, i prezantuar nga kreu i institucionit, Arben Shehu, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Sipas Shehut, nga 190 auditime të kryera, prej të cilave 8 u dërguan për ndjekje penale, janë konstatuar pasaktësi në pasqyrat financiare, nivel i lartë debitorësh të paarkëtuar, vonesa në rimbursimin e TVSH-së, si dhe mangësi në monitorimin e kontratave publike.

“Pasqyrat financiare vjetore, transaksionet financiare nuk janë hartuar dhe dorëzuar sipas kërkesave ligjore, ndërsa gjatë kësaj periudhe raportuese vërehet mungesa e një kuadri të plotë rregullator për raportimin financiar në sektorin publik. Në një seri subjektesh janë konstatuar mangësi në respektimin e afateve ligjore, rakordimin dhe plotësinë e pasqyrave financiare dhe problematika si keqklasifikimi i të ardhurave dhe shpenzimeve dhe regjistrimi i pasaktë i detyrimeve. Ka rezultuar nivel i lartë i debitorëve të paarkëtuar”, u shpreh Arben Shehu.

Një tjetër çështje e ngritur në Komision nga kreu i KLSH është edhe administrimi i të ardhurave tatimore. Kreu i KLSH-së evidentoi vonesa në kontrollet tatimore, pasaktësi në trajtimin e gjobave dhe raste kur mangësitë në administrimin e të dhënave kanë sjellë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit.

“Në administrimin dhe mbledhjen e të ardhurave tatimore janë evidentuar problematika. Pasaktësi në trajtimin e gjobave dhe vonesa në rimbursimin e TVSH-së, duke krijuar detyrime të prapambetura. Janë konstatuar vonesa në përfundimin e kontrolleve. Në drejtoritë rajonale tatimore janë evidentuar pasaktësi, duke krijuar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit. Në mbledhjen e të ardhurave doganore janë evidentuar problematika si TVSH në import, renta minerare etj. Borxhi doganor ka shënuar rritje dhe përbëhet nga detyrime të vjetra”, tha Shehu.

Nga auditimet e kryera gjatë vitit 2025 është konstatuar një dëm ekonomik dhe financiar me vlerë 26.2 miliardë lekë. Gjatë kësaj periudhe, KLSH zhvilloi 190 auditime në 271 subjekte publike, të cilat përfunduan me 222 opinione auditimi dhe 4 mijë e 994 rekomandime.

Top Channel