Lezha u kthye në një skenë arti dhe emocionesh mbrëmjen e sotme, ku krijimtaria e poetit lezhjan Preç Zogaj u rikthye në qendër të vëmendjes përmes një aktiviteti të veçantë kulturor.
Përmes një përzgjedhjeje poezish të shkruara përgjatë katër dekadave, nga viti 1984 deri në 2024, publiku u njoh me një prej zërave më përfaqësues të letërsisë bashkëkohore shqipe. Mbrëmja mblodhi dhjetëra artdashës dhe admirues të poezisë së Zogajt, ndërsa interpretimi i vargjeve iu besua tre emrave të njohur të skenës shqiptare: Yllka Muja, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia, të cilat sollën emocione të forta dhe një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun.
Programi u pasurua edhe me këngë të frymëzuara nga poezia e autorit, të interpretuara ndër vite nga Frederik Ndoci, duke krijuar një ndërthurje mes poezisë dhe muzikës që ka lënë gjurmë në fondin artistik shqiptar. Në një sallë të mbushur plot, aktiviteti u shndërrua në një dialog të hapur mes krijuesit dhe publikut.
Këngëtari Frederik Ndoci u shpreh se poezia e Zogajt ka qenë një burim i rëndësishëm frymëzimi për krijimtarinë e tij muzikore.
Në përmbyllje, vetë poeti Preç Zogaj e cilësoi këtë mbrëmje si një përjetim të veçantë, duke falënderuar interpretuesit dhe publikun lezhjan për emocionet e ndara.
Mbrëmja u mbyll mes duartrokitjesh, duke dëshmuar se fjala poetike e Preç Zogajt vijon të mbetet e gjallë dhe e afërt për publikun shqiptar.
Top Channel