“Skandali më i madh në histori!”/ Publikohet dosja e zezë e arbitrave spanjollë, Madridi kërkon ndëshkim ekstrem për Barçën

08/06/2026 18:24

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka zyrtarizuar ofensivën e tij institucionale kundër rivalëve historikë të Barcelonës.

Menjëherë pas rikonfirmimit në krye të klubit madrilen, akti i tij i parë ishte dorëzimi i një dosjeje voluminoze në zyrat e UEFA-s në Nyon, e cila implikon drejtpërdrejt katalanasit në skandalin “Negreira”.

Dokumenti, i cili sipas të përditshmes prestigjioze spanjolle “AS” numëron plot 500 faqe dhe është përgatitur me detaje për tre vite, bën një skanim të thellë të 30 viteve arbitrazh në futbollin spanjoll. Përmes kësaj lëvizjeje ligjore, Real Madrid kërkon një ndëshkim shembullor nga qeveria e futbollit europian, duke mos përjashtuar as kërkesën për heqjen e titujve të fituar nga klubi “Blaugrana”.

Prapaskenat e finales në Budapest dhe takimi me Ceferin

Perez e kishte paralajmëruar këtë lëvizje të bujshme pak ditë më parë. Gjatë finales së Champions League në Budapest, numri një i “Los Blancos” u shfaq përkrah presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, një takim ky që nuk ishte aspak rastësor. Bisedimet mes tyre konfirmuan se UEFA është tashmë në dijeni të plotë të materialeve që disponon Madridi.

“Nuk do të ndalem kurrë derisa gjithçka të sqarohet. Ky është skandali më i madh i korrupsionit në historinë e futbollit,” ka deklaruar me vendosmëri Perez, duke theksuar se lufta sapo ka filluar.

Nga pagesat te hetimi paralel

“Çështja Negreira” mbetet një nga njollat më të errëta në futbollin spanjoll, e përqendruar rreth pagesave që kapin vlerën e 8.4 milionë eurove. Këto shuma janë derdhur nga Barcelona në llogaritë e kompanive të lidhura me José María Enríquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA), përgjatë periudhës 2001-2018.

Ndërkohë që drejtësia spanjolle ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj klubit dhe drejtuesve të tij për “korrupsion sportiv”, “ryshfet” dhe “falsifikim”, vetë UEFA ka hapur prej kohësh një hetim të pavarur disiplinor. Me dorëzimin e kësaj dosjeje, presioni mbi Nyonin për të marrë një vendim përfundimtar rritet ndjeshëm.

Në kampin tjetër, Barcelona ka njoftuar se po studion çdo hapësirë për të ndërmarrë masa ligjore kundër akuzave dhe veprimeve të fundit të Florentino Perezit. Priten zhvillime të reja dhe reagime zyrtare gjatë orëve në vijim, teksa dosja tashmë ndodhet në tryezën e zyrtarëve më të lartë të UEFA-s.

Top Channel