Juventus është shumë pranë transferimit të sulmuesit norvegjez Alexander Sorloth, i cili konsiderohet si zëvendësuesi ideal i Dusan Vlahovic për sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi i Atletico Madrid, autor i 20 golave gjatë sezonit të fundit, kryeson listën e dëshirave të drejtuesve bardhezinj. Klubi torinez synon të mbyllë marrëveshjen sa më shpejt për të shmangur konkurrencën e mundshme nga Premier League dhe për të evituar rritjen e vlerës së kartonit gjatë Kupës së Botës.

Sipas mediave italiane, kontaktet e ditëve të fundit kanë sjellë një marrëveshje paraprake mes Juventusit dhe lojtarit. Sorloth pritet të firmosë një kontratë deri në vitin 2029, me opsion rinovimi deri në 2030, ndërsa do të përfitojë rreth 4 milionë euro neto në sezon.

Një rol të rëndësishëm në negociata ka luajtur trajneri Luciano Spalletti, i cili ka kontaktuar personalisht sulmuesin për t’i prezantuar projektin teknik të skuadrës, duke marrë miratimin e tij të menjëhershëm.

Tashmë mbetet të gjendet marrëveshja me Atletico Madrid. Klubi spanjoll e vlerëson kartonin e norvegjezit mes 30 dhe 35 milionë eurove, ndërsa Juventusi synon ta mbyllë operacionin për një shumë më të ulët se 30 milionë euro.

Në favor të bardhezinjve mund të ndikojë edhe situata e Nico Gonzalez. Argjentinasi dëshiron të qëndrojë në Madrid dhe Atletico është e interesuar për kartonin e tij. Edhe pse dy operacionet nuk lidhen zyrtarisht me njëra-tjetrën, raportet e mira mes klubeve mund të ndihmojnë në uljen e kërkesave ekonomike për Sorloth.

Java që sapo ka nisur konsiderohet vendimtare për finalizimin e marrëveshjes. Nëse palët arrijnë akordin përfundimtar, sulmuesi mund të kryejë vizitat mjekësore përpara debutimit të Norvegjisë në Kupën e Botës, duke i hapur rrugën transferimit të tij te Juventusi.

Top Channel