Historike/ Arbitrat shqiptarë Florian Lata dhe Mario Shazivari në finalen e Europianit U17

07/06/2026 14:02

Arbitrat shqiptarë Florian Lata dhe Mario Shazivari do të jenë protagonistë në finalen e Kampionatit Europian U17, duke vendosur drejtësi në përballjen mes Belgjikës dhe Italisë.

Emërimi i tyre në ndeshjen më të rëndësishme të turneut vlerësohet si një arritje e rëndësishme për arbitrimin shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Finalja e madhe do të zhvillohet sot në Talin të Estonisë, duke nisur nga ora 19:00. Lata do të jëtë gjyqtari kryesor, ndërsa Shazivari një nga 2 ndihmësit e tij. Belgjika dhe Italia do të përballen për trofeun europian të kësaj grupmoshe, pas një rruge të suksesshme drejt aktit përmbyllës të kompeticionit.

Përzgjedhja e Florian Latës dhe Mario Shazivarit për këtë sfidë dëshmon besimin e institucioneve europiane të futbollit te cilësia dhe profesionalizmi i arbitrave shqiptarë. Prania e tyre në finalen e Europianit U17 përbën një moment krenarie për futbollin shqiptar.

Tifozët e futbollit do të kenë mundësinë ta ndjekin drejtpërdrejt këtë duel interesant mes Belgjikës dhe Italisë në FSHF TV. Pritet që finalja të ofrojë emocione të mëdha dhe futboll cilësor nga talentet më premtuese të kontinentit.

Top Channel