Nga Vllaznia te Flamurtari, klubet shqiptare shprehin dhimbjen për ndarjen nga jeta të Fatjon Bunjakut
Futbolli shqiptar humbi këtë të dielë një prej elementëve të perspektivës, Fatjon Bunjaku që u nda nga jeta në mënyrë tragjike pas një aksidenti rrugor.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një mesazh ngushëllimi për familjen e futbollistit dardan për këtë humbje shumë të rëndë.
‘Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatjon Bunjakut. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe një humbje e madhe, pasi bëhet fjalë për një djalë të ri, vetëm 22 vjeç, me një të ardhme të tërë përpara.
Fatjoni do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek të gjithë ata që e njohën.Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të’-lexohej në mesazhin e presidentit të FSHF, Duka të postuar në rrjetet sociale
Edhe vetë Federata Shqiptare e Futbollit doli me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të Fatjon Bunjakut.
‘Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të futbollistit të AF Elbasanit, Fatjon Bunjaku. Në këto momente të vështira jemi pranë familjes, të afërmve, miqve, klubit të Elbasanit dhe të gjithë komunitetit futboll shqiptar duke ndarë dhimbjen për këtë humbje të rëndë. U prehtë në paqe!’-lexohej në mesazhin e FSHF
Top Channel