Një person i pajetë është gjetur në ujërat e lumit Mat në fshatin Zenisht mëngjesin e sotëm.

Ai është Flamur Kolmarku, ish-oficeri i Gardës së Republikës, i cili kohët e fundit kishte humbur kujtesën dhe ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë.

Personi i mbytur është konstatuar nga banorët e zonës të cilët kanë njoftuar menjëherë autoritetet. Trupi i 56-vjeçarit do t’i nënshtrohet ekspertizës.

“Më datë 07.06.2026, rreth orës 10:00, në lumin Mat, në fshatin Zenisht, Bashkia Mat, është gjetur pa shenja jete shtetasi F. K., 56 vjeç, banues në Tiranë.

Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën si pasojë e mbytjes në ujë”, njofton policia.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë dhe të spitalit të Burrelit të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë dhe transportimin e tij drejt institutit të mjekësisë ligjore në Tiranë.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Sindikata e Gardës ë Republikës së Shqipërisë.

“Sot zemrat tona u mbushën me trishtim nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Drejtues i Parë Flamur Kolmarkut.

Një njeri me zemër të madhe, një oficer i përkushtuar dhe një mik i mirë, që la gjurmë tek çdo njeri që pati fatin ta njohë. Ikja e tij është një dhimbje e rëndë për familjen, për fëmijët e tij, për të afërmit, miqtë dhe kolegët që e deshën dhe e respektuan.

Fjalët janë të pakta për të shprehur dhimbjen që lë pas humbja e një njeriu kaq të mirë. Do të na mungojë buzëqeshja e tij e ngrohtë, mirësia, urtësia dhe prania e tij fisnike mes nesh.

Në këto çaste të vështira, lutemi që Zoti t’i japë forcë familjes për të përballuar këtë dhimbje të madhe dhe ta pranojë Flamurin në paqen e përjetshme.

Lamtumirë miku ynë. Kujtimi yt do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona.

U prehsh në paqe, Kolonel Flamur Kolmarku”.

Top Channel