Federico Chiesa flet hapur: Do të doja të kthehesha në Itali, në zemër kam Juventusin. Kombëtarja? Isha i dëmtuar

07/06/2026 15:12

Vera e Federico Chiesës filloi ashtu si një vit më parë, në Forte dei Marmi me bashkëshorten e tij Lucia, qentë dhe familjen e tij. Sezoni i dytë te Liverpool u mbyll me vetëm 726 minuta në fushën e lojës dhe 3 gola, shumë pak për të.

Sulmuesi italian flet për çfarë ndodhi në Anfild dhe shumë tema të tjera në një intervistë të gjatë për të përditshmen ‘La Gazzetta Dello Sport’

Chiesa, çfarë nuk funksionoi?

‘Minutazhi. Që nga fillimi i 2026 luajta vërtet shumë pak. Me Liverpoolin kam një raport të shkëlqyer, në muajin janar Slot dhe klubi më thanë se nuk mund të largohesha, isha i nevojshëm edhe për çështje numerike. Ishim në emergjencë. E kuptova situatën dhe qëndrova me buzëqeshje, flitet gjithnjë për Liverpoolin, vitin e kaluar më bëri që të fitoj Premier League. E megjithatë…’.

E megjithatë mund të ktheheshe te Juventusi, e drejtë?

‘Liverpool më kishte informuar, por më pas gjërat nuk shkuan mirë’

U fol shumë për mospraninë tënde me kombëtaren italiane në mars për ndeshjet e playoffit të botërotit, cila është e vërteta?

‘E tha Gattuso që e falenderoj. Rino është një njeri fantastik, e rrallë kjo për botën e futbollit. Për fat të keq dëmtimet ndodhën dhe unë shkova në Coverciano me probleme fizike. Në fakt u ktheva në shtëpi pas një konsulte me mjekët dhe qëndrova jashtë fushe për 1 javë e gjysmë te Liverpool. Kuptoj që njerësit në një moment të tillë mund të mendojnë tjetër gjë, por unë edhe kam fituar me Kombëtaren. Dikush e harron këtë ndodnjëherë…Luaj futboll prej kohësh, nuk komentoj as komentet negative që kam lexuar në rrjetet sociale. E vetmja dhimbje ishte të shihja Italinë jashtë Botërorit. Jam shumë i lidhur me fanelën te Të Kaltërve dhe kam vuajtur. Penalltitë as nuk desha t’i shihja, isha i tensionuar. Më vjen keq për shokët e skuadrës, trajnerin dhe për të gjithë Italinë. Ishin dhe ishim të sigurt se do të kualifikoheshim. Tani është e nevojshme të shohim përpara’.

Italia është një kapitull i mbyllur?

Jo, dua të kthehem protagonist, por për t’ia dalë mbanë duhet të luaj më shumë se 1000 minuta me klubin tim. Duke u aktivizuar kaq pak, nuk shkoj asgjëkundi’

Trajneri i ri; Mancini, Conte apo Guardiola?

‘Do të habitesha po të mos jetë ndonjëri prej tyre. Me Mancinin fitova Evropianin, Conte ka bërë një punë të shkëlqyer me Italinë. Guardiola është Guardiola; duhet pyetur Bonucci që ka folur në një intervistë’

Çfarë Chiesa do të shohim për 2026-27?

E përsëris; dua të luaj, nëse nuk gjej vazhdimësi në Premier League, do të duhet ta kërkoj diku tjetër. Vitin e parë te Liverpool, praktikisht nuk luajta fare dhe në vitin e fundit luajta pak ose aspak. Do të shkoj me skuadrën në SHBA, pastaj do të flas me klubin dhe trajnerin e ri Iraola dhe do të shohim’

A është Como një mundësi?

‘Jam i hapur për gjithçka, e rëndësishme është të luaj. Nuk jam mendjemadh e të them; duhet te jem titullar. Jam gati të luftoj për një vend në skuadër, kudo. Fabregas është një trajner shumë i mirë, askush nuk do e imagjinonte një Como kështu; skuadër e bukur për t’u parë. Por më erdhi keq që në Champions nuk shkoi Juventusi’.

U habite?

‘Po, sepse me ardhjen e Spallettit, që kam pasur kënaqësinë ta njoh në kombëtare, Juventusi kishte një ekuilibër të ri. Në fund gjërat shkuan keq. Do të më pëlqente të kthehesha te bardhezinjtë. Unë nuk do të isha larguar. U tha se pretendoja shumë parà, por e vërteta është ndryshe; nuk më është bërë asnjë ofertë rinovimi. As nuk kemi folur. Giuntoli e Thiago Motta më thanë: Fede nuk na duhesh, gjej një skuadër. Më shkoi mirë, rinisa gjithçka nga një prej 5 skuadrave më të mira në botë si Liverpool. Por Juventus është gjithnjë në zemrën time dhe do të doja të kthehesha. Nuk kam folur kurrë për parà me Juventusin dhe nuk do ta bëj kurrë’

Vlahovic dhe Juventusi u ndanë me parametra zero, kush humbet më shumë?

‘Dusan është një sulmues shumë i shkëlqyer dhe e ka treguar me golat e shënuar edhe pas dëmtimit të fundit. Më vjen keq, e shihja te Juventus edhe për shumë vjet të tjerë. Duhet kuptuar se çfarë ndodhi prapa kuintave. Juventus humbet një qendërsulmues të shkëlqyer, nuk shoh të tjerë si ai rreth e rrotull. Jam argëtuar kur kam luajtur me Dusan, është një luftëtar në fushë. E kam për zemër dhe i uroj më të mirën. Ndoshta në Angli. Premier League është kampionati më i mirë, të gjithë luajnë me intensitetin maksimal dhe në sulm. Nëse do të kthehem në Serie A, shpresoj të shihni një Chiesa akoma më të fortë’.

Si është Yildiz me nr.10 të Juventusit?

‘E kuptuam talentin e tij që në stërvitjet e para, tani i takon atij. Mund të bëhet një emër i madh. Numri 10 i duket mirë, por e kam parë edhe në shpinën e Dybala’

Si e imagjinon Chiellinin pas vendit të 6 të Juventusit?

‘I zemëruar. Giorgio donte të bënte historinë edhe si drejtues. Ne jemi renditur edhe në vendin e 7 por për shkak të penalizimeve…Dhe ju siguroj se nuk kishte klimë të qetë pavarësisht alibise së pikëve të hequra. Te Juventus duhet të bësh paraqitje kundër të gjithëve dhe gjithçkaje’

Spalletti ju ka krahasuar me Sinner. Nëse e mendon tani?

‘E falenderoj. Luciano kërkon gjithnjë zgjidhje të ndryshme, si Mancini. Por ndoshta trajneri që ka shenjuar më shumë karrierën time është Paulo Sousa. Isha një djalosh te Fiorentina dhe më tha; hyr në fushë dhe luaj. Ishte thelbësore. Kam punuar me disa trajnerë; Pioli, Allegri. Max ishte supersticioz; kur fitonim, në mbledhjen e radhës teknike përsëriste disa fraza të thëna për ndeshjen paraardhëse’.

Fiorentina, pas një viti të turbullt dëshiron të ngjitet në majë me Drejtorin Sportiv, Paratici; ndjesitë?

‘Nuk e kam imagjinuar kurrë një Fiorentinë kaq poshtë në renditje, verën e kaluar mendova se do të luftonte për zonën evropiane. E kam për zemër skuadrën violë. Paratici është një drejtues i shkëlqyer, fitoi me Juventusin dhe ka firmën e tij edhe në fitoren e Europa League nga Tottenham’.

Në Itali, janë hedhur sytë nga Liverpooli; Intere synon Jones, Juventus nuk humbet shpresat për Alisson

‘Jones më ka pyetur vetëm se si jetohet në Itali. I thashë se jetohet shumë mirë dhe se moti është më i mirë se i Liverpoolit që përtej kësaj është një vend special. Jones është shumë i fortë teknikisht vërtet, Interi bën mirë që mendon për të. Alisson? Nga ajo që po dëgjoj, mbetet në Angli; por të shohim. Po flasim për një prej 5 portierëve më të mirë në botë. Është një lider fantastik, ka fituar gjithçka dhe bën diferencën në fushë dhe në dhomën e zhveshjes. Kam kaluar shumë kohë me të dhe Mac Allister’.

Kur je në plazh a të pyesin për Salah?

Tregoj ditët e tij të fundit te Liverpool. Edhe pse është një legjendë edhe pse kishte mijëra emocione për lamtumirën, ai mendoi për të gjithë dhe na falenderoi që ishim shokët e tij të skuadrës. Mua më dhuroi një fanelë me dedikim dhe private. Salah ka një zemër shumë të madhe dhe është ende i lidhur me Italinë; flet gjithnjë për Firenzen dhe Romën’

Me Ronaldon te Juventus dhe me Salah te Liverpool; janë jashtëtokësorë?

‘CR7 është super. Por nëse vitin e kaluar në Champions do të kishin arritur në finale, Momo do të kishte mundur të fitonte Topin e Artë. Uria dhe mentaliteti janë të ngjashme, por njëri ka 5 Topa të Artë, tjetri asnjë’

‘Chiesa luan gjithnjë me kokë të ulur’. Është një kritikë që lëndon?

‘Dakord, do të luaj me kokën të ulur…Jap bezdi? Shoh karrierën time; diçka kam fituar dhe kam luajtur në klube të fortë. Dhe kam dhënë edhe ndonjë asist, kujtoj një të bukur për Ronaldon. Me të duhet ta ngresh kokën. Cris thoshte gjithnjë: zonë, zonë…donte krosime dhe kishte të drejtë, kërcente dyfishin e të tjerëve’.

Si bashkëshort, do i jepje vetes notën 10 me lëvdata si një vit më parë?

‘Kam nisur të gatuaj, pyesni Lucian. Pjata Chiesa? Rizoto me shafran’

Top Channel