Humbja në debutim është ogur i mirë për Kombëtaren? Maran “ngushëllohet” me historinë, por thyen një rekord negativ…
Dy humbjet radhazi të Shqipërisë në stadiumin “Air Albania” kanë sjellë jo vetëm zhgënjim te tifozët, por edhe një statistikë negative që nuk ishte regjistruar prej dekadash në historinë e Kombëtares.
Trajneri Rolando Maran është bërë tekniku me nisjen më të dobët në drejtimin e kuqezinjve gjatë periudhës që Armand Duka drejton Federatën Shqiptare të Futbollit. Për herë të parë në këtë epokë, një trajner i emëruar nga presidenti i FSHF-së e nis aventurën me dy humbje në dy ndeshjet e para në stol.
Rezultatet negative ndaj Izraelit dhe Luksemburgut kanë vendosur menjëherë italianin në një pozicion të vështirë, sidomos duke pasur parasysh se të dyja sfidat u luajtën në Tiranë dhe përballë kundërshtarëve që renditen më poshtë se Shqipëria në klasifikimin botëror të FIFA-s.
Për të gjetur një rast të ngjashëm duhet të kthehemi gati tri dekada pas në kohë. Në vitin 1997, Astrit Hafizi e nisi aventurën e tij në krye të Kombëtares me dy humbje në ndeshjet e para zyrtare. Asokohe Shqipëria, që zhvillonte takimet si vendase në Granada të Spanjës, u mposht 1-0 nga Ukraina dhe 3-2 nga Gjermania në eliminatoret e Kupës së Botës 1998.
Që nga ajo periudhë, asnjë trajner tjetër nuk kishte regjistruar dy humbje radhazi në debutim me Kombëtaren shqiptare. Rekordi qëndroi i paprekur për 29 vite, derisa u thye nga Maran në sfidat e para në krye të stolit kuqezi.
Megjithatë, trajneri italian ka ende kohë për të përmbysur situatën dhe për të rikthyer besimin te skuadra, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te ndeshjet e ardhshme zyrtare, ku rezultatet do të kenë peshë shumë më të madhe për objektivat e Kombëtares.
Top Channel