Antonelli i pandalshëm edhe në Montecarlo, “pole position” historik në Çmimin e Madh të Monakos

06/06/2026 18:05

Kimi Antonelli ka fituar provat zyrtare në Çmimin e Madh të Monakos, duke mposhtur emra të mëdhenj të Formulës 1 në një nga kualifikueset më të forta të sezonit.

Në një sesion dramatik në Montecarlo, Antonelli arriti të mbyllë xhiron vendimtare dhe të marrë vendin e parë, duke lënë pas Max Verstappen me vetëm 43 të mijtat e sekondës. Piloti i Red Bull kishte një paraqitje shumë të fortë, por u penalizua lehtë nga sektori i dytë i xhiros së tij.

Lewis Hamilton me Ferrari, gjithashtu ishte në garë për pole, duke treguar formë të mirë në një pistë ku eksperienca luan rol të madh. Ndërkohë, Charles Leclerc, i konsideruar “princi i Monakos”, nuk arriti të përfundojë xhiron e fundit në mënyrë perfekte pasi preku barrierat në përpjekjen e tij të fundit, duke humbur shanset për pole.

Antonelli, vetëm 19 vjeç, deklaroi pas kualifikimeve se bëhej fjalë për një “xhiro magjike”, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme në këtë fillim sezoni ku ai kryeson edhe kampionatin botëror.

Ai arriti të lërë pas edhe George Russell, i cili u rendit në vendin e 6-të, si dhe dy makina Red Bull dhe Ferrari që u renditën në mes të grupit të parë. McLaren mbeti mbi gjysmë sekonde larg, ndërsa pjesa tjetër e skuadrave u distancuan edhe më shumë.

Carlos Sainz do të niset nga vendi i 12-të, ndërsa Williams vazhdon të tregojë stabilitet, por pa arritur në zonën e pikëve në mënyrë konstante. Disa pilotë si Franco Colapinto dhe Gabriel Bortoleto patën probleme gjatë sesionit, duke mos arritur të përfundojnë me sukses kualifikimet.

Ndërkohë, Fernando Alonso dhe Aston Martin patën një paraqitje zhgënjyese, me spanjollin që u rendit në vendin e 21-të pas një sesioni të vështirë për ekipin britanik.

Në përgjithësi, gara e Monakos konfirmoi diferencat mes skuadrave në këtë sezon të Formulës 1, ku Antonelli vijon të konfirmohet si një nga surprizat më të mëdha të kampionatit.

Top Channel