Incidenti i çuditshëm që po bën xhiron e rrjetit: Franck Kessie “shtrin përtokë” arbitrin në ndeshjen mes Francës dhe Bregut të Fildishtë, Kylian Mbappe i vjen menjëherë në ndihmë!

Një ngjarje tejet e pazakontë dhe e paimagjinueshme ka ndodhur gjatë ndeshjes miqësore mes Francës dhe Bregut të Fildishtë, ku mesfushori Franck Kessie është përplasur pa dashje me arbitrin kryesor të takimit, Sebastian Gishamer, duke shkaktuar ndërprerjen e lojës për disa minuta. Gjatë fundit të pjesës së parë, lojtari i Bregut të Fildishtë po lëvizte me shpejtësi në fushë dhe goditi fort me shpatull arbitrin austriak, i cili u rrëzua menjëherë në tokë me dhimbje të mëdha dhe pati nevojë të menjëhershme për ndihmën e stafit mjekësor.

Situata krijoi mjaft ankth dhe në fushë u fut madje edhe barrelë, por për fat të mirë arbitri arriti të ngrihej vetë në këmbë, ndërsa vëmendjen e të gjithëve e mori ylli francez Kylian Mbappe, i cili i shkoi menjëherë pranë dhe i mbajti akullin në kokë për t’ia lehtësuar dhimbjen. Për sa i përket anës sportive të kësaj sfide që shërben si përgatitje për Botërorin, Franca kaloi e para në avantazh falë një goli të bukur nga Rayan Cherki, por afrikanët përmbysën gjithçka në pjesën e dytë me golat e Guela Doue dhe yllit të Manchester United, Amad Diallo, duke siguruar një fitore prestigjoze me rezultatin e përgjithshëm 2-1 në një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë pikërisht për këtë incident të rrallë në fushën e lojës.

Top Channel