Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se El Niño i ardhshëm mund të jetë më i forti i regjistruar ndonjëherë në histori.
Sipas Organizatës Meteorologjike Botërore, gjasat që përpara muajit shtator të formohet një “Super El Niño” janë gati 80%. Ky fenomen natyror rrit temperaturat globale dhe shton reshjet e shiut.
Shkencëtarët paralajmërojnë se El Nino këtë herë mund të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm dhe të sjellë pasoja ekstreme, sidomos në një planet që tashmë po ngrohet nga ndryshimet klimatike. El Niño i vitit 2023-2024 tashmë i kishte çuar temperaturat globale në nivele rekord.
El Niño është një çrregullim i qarkullimit oqeanik dhe atmosferik në Paqësorin tropikal, ku ujërat e ngrohta zhvendosen drejt brigjeve të Amerikës, duke ndikuar në motin global. Kjo sjell reshje më të mëdha dhe rritje përmbytjesh në disa rajone, ndërsa në të tjera shkakton thatësira dhe ekstreme klimatike.
Të dhënat nga satelitët dhe sensorët oqeanikë tregojnë masa të mëdha uji shumë të ngrohtë në thellësi të Paqësorit janë duke lëvizur drejt lindjes- sinjal ky që zakonisht paraprin ngrohjen e sipërfaqes dhe intensifikimin e fenomenit.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse El Niño zhvillohet fuqishëm, viti 2027 mund të jetë jashtëzakonisht i nxehtë dhe me fenomene të motit ekstrem në shumë pjesë të botës, përfshirë edhe Europën Jugore, ku mund të alternohen periudha thatësire me reshje të forta.
Top Channel