Kanë kaluar 10 ditë nga dështimi i kualifikimit në Champions dhe nga spastrimi në bordin drejtues te Milanit dhe zyrat në selinë e klubit kuqezi vazhdojnë të jenë bosh. Është lëvizur shumë pak, për të mos thënë që nuk është lëvizur asgjë me shumë kandidatë për vender e lëna bosh që pak nga pak u reduktua në një lojë dyshesh.

Nga njëra anë janë Ralf Rangnick dhe Oliver Glasner dhe në anën tjetër Mauricio Pochettino me Ramon Planes. Rolet ende janë për t’u përcaktuar dhe për këtë arsye mund të përcaktojë zgjedhjet.

Rangnick nuk është një tip që hyn në kompromise, ka kërkuar të marrë vete shumë bashkëpunëtorë dhe ka ndërmend të menaxhojë Milanin në mënyrë globale, që nga skuadra e parë e deri te ekipet e moshave duke kaluar te Milan Futuro. Pra, nëse do të bëhet pjesë e Milanit ai dëshiron ta bëjë sipas mënyrës së tij. Edhe zgjedhja e trajnerit do të jetë e tij dhe bëhet fjalë për Oliver Glasner i cili ka pasur edhe një takim kokë më kokë me Gerry Cardinale, një takim që nuk solli gjë sepse garancitë teknike dhe projektuale deri tani nuk ishin të mjaftueshme.

Në anën tjetër, sipas’La Gazzetta Dello Sport’, po fiton terren Mauricio Pochettino që po përgatitet për Botërorin me SHBA. Duket se me trajnerin argjentinas ka një lloj marrëveshjeje për një kontratë me 5 milionë euro në sezon dhe me drejtor sportiv me të cilin mund të punojë, Ramon Planas që aktualisht është te Al Ittihad, nga i cili mund të largohet për të pranuar ofertën e kuqezinjve. Figura e tij, që gjithsesi është me shumë eksperiencë, do të ishtë më pak e rëndë se ajo e Rangnick me këtë të fundit që nuk është se ka raporte shumë të mira me Ibrahimovic. Me fjalë të tjera me këtë karusel ku një dyshe ulet një tjetër ngjitet, për Milanin ka mbetur shumë pak kohë në dispozicion për të marrë një vendim përfundimtar. Botërori po afron dhe Ibra do të jetë i pranishëm si komentaror televiziv dhe Rangnick e Pochettino do të jenë në pankinat e skuadrave të tyre respektive, Austrinë dhe SHBA. Kështu që zgjedhjet duhen bërë menjëherë, ose rrezikohet që kjo ‘paralizë’ të  zgjatet.

Top Channel