Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka minimizuar spekulimet për një përçarje mes tij dhe presidentit amerikan Donald Trump lidhur me çështjen e Iranit, duke theksuar se të dy liderët ndajnë të njëjtat qëndrime për çështjet themelore të sigurisë.
Në një intervistë për CNBC, Netanyahu deklaroi se, megjithëse herë pas here ekzistojnë “mosmarrëveshje taktike”, marrëdhënia mes tyre mbetet e fortë.
“Si në familjet më të mira, ndonjëherë kemi mosmarrëveshje taktike. Por gjithmonë gjejmë një mënyrë për t’i zgjidhur ato dhe e bëjmë këtë si miq të shkëlqyer”, u shpreh ai.
Sipas Netanyahut, Izraeli dhe SHBA-ja bien dakord për objektivat kryesore, përfshirë parandalimin e Iranit nga sigurimi i një arme bërthamore dhe neutralizimin e kërcënimeve ndaj Izraelit.
Ndërkohë, kryeministri izraelit ka kritikuar ashpër disa liderë evropianë për qëndrimet e tyre ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në rajon. Ai përmendi veçanërisht presidentin francez Emmanuel Macron, duke i akuzuar udhëheqësit evropianë se po shmangin përballjen me ekstremizmin për arsye politike.
“Mënyra se si disa liderë evropianë u bëjnë qejfin pakicave radikale islamike në vendet e tyre është e turpshme”, deklaroi Netanyahu për CNBC.
Ai shtoi se Izraeli po mbron jo vetëm interesat e veta, por edhe ato të vendeve perëndimore. “Ata e dinë se ne po i mbrojmë edhe ata, por nuk kanë guximin të ngrihen dhe të marrin anën e duhur, atë që do të shpëtojë qytetërimin tonë nga këta barbarë”, tha kryeministri izraelit.
Top Channel