Barcelona nxjerr në shitje Jules Kounde, gati të dëgjojë oferta nga klubet e interesuara. Ja opsionet për pasues

02/06/2026 10:51

Barcelona mund të përballet me një nga largimet e rëndësishme të kësaj vere. Sipas mediave spanjolle, drejtuesit e klubit janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për Jules Kounde, nëse mbërrin një propozim financiar i konsiderueshëm.

Edhe pse mbrojtësi francez mbetet një lojtar i rëndësishëm në skuadër, drejtori sportiv Deco ka nisur prej muajsh të shqyrtojë alternativa për krahun e djathtë të mbrojtjes. Sipas raportimeve, çdo lëvizje në merkato për këtë pozicion do të varet nga largimi i mundshëm i Koundé.

Mes emrave të përfolur si zëvendësues është Denzel Dumfries, për të cilin Deco ka kërkuar informacione gjatë takimeve me agjentët e lojtarëve. Në planet afatgjata të klubit përmendet edhe Marc Cucurella, megjithëse ai aktivizohet kryesisht në krahun e majtë.

Një faktor i rëndësishëm në këtë situatë është besimi që trajneri Hansi Flick ka te Eric García. Tekniku gjerman e sheh spanjollin si një opsion të rëndësishëm për pozicionin e mbrojtësit të djathtë sezonin e ardhshëm.

Nëse Kounde largohet, Barcelona jo vetëm që do të hapte vend në skuadër, por do të siguronte edhe burime financiare shtesë për të përforcuar repartet e tjera të mbrojtjes gjatë merkatos së verës.

Top Channel