Fitoi çdo gjë me Liverpool-in, rekordmeni i Premier League tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur
Festimet për titullin kampion të Arsenalit në rrugët e Londrës janë shoqëruar me incidente të shumta dhune, duke çuar në arrestimin e 24 personave dhe hapjen e disa hetimeve nga Policia Metropolitane.
Sipas policisë londineze, gjatë paradës së organizuar për festimin e titullit të parë të Premier League pas 22 vitesh, u raportuan gjashtë raste therjeje me thikë në zonën ku zhvillohej aktiviteti.
Një i ri rreth të njëzetave u transportua në spital në gjendje kritike dhe me rrezik për jetën, por autoritetet bëjnë me dije se gjendja e tij tashmë është stabilizuar.
Policia arrestoi gjithashtu tre persona nën dyshimin për sulm seksual, ndërsa një tjetër u ndalua për plagosje të rëndë pas një sulmi që shkaktoi dëmtime serioze në kokë.
Dhuna preku edhe efektivët e rendit. Dhjetë persona u arrestuan për sulme ndaj policisë, pasi një oficer pësoi prerje në dorë, ndërsa një tjetër u godit në kokë nga objekte të hedhura nga turma.
Arrestime të tjera u kryen për sjellje të çrregullt në gjendje të dehur dhe për vepra penale të lidhura me drogën.
Ndërkohë, gjatë festimeve u desh ndërhyrja e shërbimeve të emergjencës për të shpëtuar rreth 75 persona që kishin mbetur të bllokuar në lartësi. Autoritetet kishin paralajmëruar tifozët të mos ngjiteshin në çati, semaforë apo pemë për të ndjekur paradën, por shumë prej tyre injoruan udhëzimet.
Në rrjetet sociale u publikuan pamje ku tre tifozë të Arsenalit shihen të ulur mbi një pemë të vogël, e cila më pas u shemb duke i rrëzuar në tokë. Video të tjera treguan edhe përleshje mes vetë tifozëve, të cilat u ndërprenë nga mbështetës të tjerë të klubit.
Festimet u shoqëruan edhe me një incident tjetër, pasi një flakadan i hedhur në mënyrë të pakontrolluar shkaktoi zjarr në një hotel, sipas raportimeve të London Fire Brigade.
Komandanti i operacionit policor, Stuart Bell, falënderoi shumicën e tifozëve që festuan në mënyrë të përgjegjshme, por theksoi se policia nuk do të tolerojë akte dhune apo kriminalitet.
“Fatkeqësisht pati episode të sjelljes antisociale dhe sulme ndaj oficerëve tanë. Me kalimin e mbrëmjes u regjistruan edhe incidente të tjera të dhunshme, përfshirë ngjarje të lidhura me grupe kriminale”, deklaroi ai.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha incidentet që shënuan paradën festive të Arsenalit në kryeqytetin britanik.
Top Channel