Kaos gjatë festimeve të Arsenalit në rrugët e Londrës, raportohen 6 therje me thikë dhe tre të arrestuar për përdhunim
Një nga futbollistët më jetëgjatë dhe më të respektuar të futbollit anglez, James Milner, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij të jashtëzakonshme, duke mbyllur një rrugëtim që zgjati plot 24 sezone në elitën e futbollit anglez.
Mesfushori 40-vjeçar largohet nga futbolli si një nga lojtarët më të spikatur të epokës moderne, me 658 ndeshje në Premier League për gjashtë klube të ndryshme dhe 61 paraqitje me kombëtaren e Anglisë.
Karriera e tij nisi te Leeds United, skuadra që ai mbështeste që në fëmijëri. Në moshën 16 vjeç e 356 ditë, Milner u bë golashënuesi më i ri në historinë e Premier League, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e futbollit anglez.
Më pas ai ndërtoi një karrierë të pasur duke luajtur për Newcastle United, Aston Villa, Manchester City, Liverpool dhe në fund për Brighton.
Me Manchester City, Milner fitoi dy tituj të Premier League, një Kupë FA dhe një Kupë të Ligës. Ish-trajneri i tij, Manuel Pellegrini, e cilësoi dikur si “lojtarin më të kompletuar në Angli”. Profesionalizmi i tij ishte aq i lartë, sa mësoi edhe spanjisht për të komunikuar më mirë me bashkëlojtarët.
Në vitin 2015 ai u transferua te Liverpool, ku përjetoi periudhën më të suksesshme të karrierës. Me “The Reds” fitoi një tjetër titull kampion në Premier League, Kupën FA, Kupën e Ligës dhe trofeun e shumëdëshiruar të UEFA Champions League.
Pas tetë sezonesh në “Anfield”, Milner iu bashkua Brightonit si lojtar i lirë, duke kaluar tre vite të tjera në nivel të lartë. Në sezonin e fundit, ai kontribuoi në kualifikimin e klubit për UEFA Conference League.
“Pas 24 sezonesh në Premier League, ndiej se ka ardhur koha e duhur për t’i dhënë fund karrierës sime si lojtar,” shkroi Milner në rrjetet sociale, duke kujtuar rrugëtimin e tij nga debutimi me Leeds deri te rikthimi në Evropë me Brighton në moshën 40-vjeçare.
Përtej trofeve dhe rekordeve, Milner njihet për mentalitetin e tij të jashtëzakonshëm, disiplinën dhe përkushtimin maksimal. Ish-kapiteni i Liverpoolit, Jordan Henderson, e përshkroi atë si një person me “mentalitet unik” dhe një nga njerëzit tek të cilët ka besim të plotë.
Në mesazhin e tij të lamtumirës, Milner theksoi se kujtimet më të çmuara nuk janë trofetë apo rekordet, por njerëzit dhe miqësitë e krijuara gjatë karrierës.
“Kam pasur fatin të përjetoj momente të paharrueshme. Por mbi të gjitha, njerëzit dhe miqësitë që kam krijuar në futboll janë ato që do të ruaj përgjithmonë,” u shpreh ai.
Me largimin e James Milnerit, futbolli anglez humbet një nga figurat më të qëndrueshme, profesionale dhe të respektuara të brezit të tij.
Top Channel