Me ndeshjet e kësaj të diele, Faza e Final Four në Kategorinë Superiore uli siparin e saj duke përcaktuar përfundimisht klasifikimin por edhe verdiktet për të katërta skuadrat pjesëmarrëse në këtë fazë, që janë edhe ato që do të luajnë në kompeticionet Evropiane.

Egnatia pas fitore 2-0 ndaj Dinamos vulosi titullin kampion të vendit për të tretin vit radhazi dhe e mbylli ‘Final Four’ me 37 pikë, po aq sa edhe Elbasani që arriti t’i imponohet Vllaznisë në ‘Air Albania Stadium’ duke e mundur 2-1, një fitore që gjithsesi nuk i shërbeu me skuadrën e Gvozdenovic që u rendit në vendin e dytë për shkak të golavarazhit në ndeshjet direkte.

Vllaznia ishte humbësja më e madhe e ‘Final Four’. Skuadra shkodrane erdhi si skuadra që e kishte mbyllur sezonin e rregullt në vendin e parë me 6 pikë më shumë se Egnatia, por në momentin më kulmor i humbi të treja ndeshjet dhe e mbylli në këtë fazë në vendin e tretë me 31 pikë duke lënë në vendin e fundit Dinamon me 27 me skuadrën e Ilir Dajës që regjistroi vetëm 1 fitore, pikërisht atë me Vllazninë, por kujtojmë se Dinamo ka fituar Kupën e Shqipërisë.

Përsa i përket kompeticioneve, Egnatia do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampioneve si skuadër jofavorite. Vllaznia, Elbasani dhe Dinamo janë në raundin e parë kualifikues në Conference League, me Vllazninë që do të jetë te skuadrat favorite, ndërsa Elbasani e Dinamo te ato jofavorite.

Top Channel