Belgu shpërthen në fund të sezonit të tij të parë me “të kaltrit”: “Trajneri ka një ide futbolli krejt ndryshe nga e imja, tepër defensive. Për të qëndruar, dua garanci për stilin e lojës”.

Nuk është aspak një përshëndetje e përzemërt, e as një deklaratë thjesht sa për kortesi. Përkundrazi. Kevin De Bruyne ka folur hapur dhe pa doreza kundër ish-trajnerit të tij tashmë, Antonio Conte. Për mediat belge (konkretisht për portalin nieuwsblad.be), ish-asi i Manchester City-t nuk duket aspak i kënaqur nga viti i tij i parë te Napoli.

Arsyeja? Raporti i ftohtë dhe mungesa e kimisë me teknikun salentin:

“A jam i lumtur që po largohet? Po, për mendimin tim ai nuk duhej të qëndronte fare. Këtë vit kuptova se sa i rëndësishëm është për mua lloji i futbollit që luan një skuadër. Loja duhet të jetë edhe argëtuese, dhe ky aspekt më ka munguar paksa. Vitin e kaluar më bënë disa premtime për stilin e lojës, të cilat nuk u mbajtën, dhe ky është një mëkat i vërtetë”.

Një zhgënjim që mund të peshojë shumë edhe mbi të ardhmen e belgut: “Kam edhe një vit kontratë, por fillimisht dua të flas me klubin: shumë gjëra do të varen nga lloji i strategjisë që do të përzgjidhet”.

“Vizione të ndryshme me Conten”

De Bruyne e ka rënduar edhe më shumë dozën e kritikave, duke ia faturuar mungesës së përshtatjes me Conten edhe vështirësitë e tij pas rikthimit nga dëmtimi: “Në fillim, por edhe kur u riktheva pas dëmtimit, isha në një nivel të mirë. Natyrisht, ishte e vështirë për mua sepse trajneri ka një vizion futbolli krejtësisht ndryshe nga i imi. Nuk kam luajtur thuajse kurrë në pozicionin tim natyral përgjatë gjithë sezonit”.

Në mbyllje, fantazisti belg lëshoi edhe një kunj të fortë për skemat taktike të trajnerit italian: “Kemi luajtur në mënyrë tejet defensive, me një baricendër shumë të ulët në fushë. Sa për ta ilustruar: golashënuesi ynë më i mirë shënoi vetëm 10 gola, kështu që numrat flasin vetë…”

Top Channel