Botërori 2027/ Kombëtarja e vajzave mbyll kualifikueset, Grima: Dy ndeshje ku e kemi vetë fatin në dorë

30/05/2026 18:04

Kombëtarja shqiptare e vajzave ka nisur tashmë përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve të Botërorit të vitit 2027 ndaj Çekisë dhe Malit të Zi.

Trajneri i vajzave kuqezi, Armir Grima theksoi se gjendja e skuadrës duke vënë në dukje rëndësinë e madhe që kanë këto dy përballje për skuadrën tonë kombëtare

‘Ky grumbullim ka rëndësi më shumë se çdo herë tjetër, sepse janë dy ndeshje ku do të vendoset nëse ne do të qëndrojmë në Ligën B apo jo. Besoj që gjërat i kemi vetë në dorë. Duhet të marrim maksimumin. Vajzat kanë ardhur mjaft të karikuara, vijnë nga sukseset. Si Vllaznia, si Teuta, si Mitrovica, vajzat që vijnë nga këto ekipe. Por edhe vajzat e tjera që kanë luajtur në kampionate të tjera i kanë mbyllur me sukses ndeshjet e tyre dhe besoj që do të shprehen më së miri në këto dy ndeshje për të marrë atë që ne kërkojmë. Objektivi ynë është që ne të qëndrojmë në Ligën B-tha Armir Grima

Grima nënvizoi gjithashtu paraqitjen e mirë të skuadrës në sfidën me Uellsit duke shprehur besimin se skuadra mund të marrë rezultat pozitiv edhe ndaj Çekisë, ndërkohë që komentoi edhe rikthimet në skuadër

‘Shenjat i dhamë që në ndeshjen e fundit ndaj Uellsit, pavarësisht se nuk shkoi në favorin tonë si ndeshje. Kemi bërë një lojë mjaft të mirë dhe gjithmonë me ekipe të forta ne bëjmë ndeshje të mira. Pavarësisht se te rezultati, në disa ndeshje mund të çalojmë. Do të shpresojmë që në ndeshjen me Çekinë të bëjmë një performancë të mirë dhe na duhet që të ndahemi me rezultat pozitiv. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që pika më e fortë e kësaj skuadre është grupi. Dhe normalisht, edhe kur kemi mungesa, grupi i përballon dhe kam shumë besim te grupi që kemi në skuadër-shtoi trajneri i Kombëtares së vajzave

Kombëtarja e vajzave do të luajë fillimisht më 5 qershor në transfertën e Çekisë në ora 17:30, ndërsa takimin e fundit të këtyre kualifikueseve do ta luajë ndaj Malit të Zi më 9 qershor në ora 19:00 në “Loro Boriçi”.

Top Channel