Trajneri spanjoll Andoni Iraola nuk po nxiton të marrë një vendim për të ardhmen e tij, pavarësisht interesimit të fortë nga disa klube të njohura evropiane pas një sezoni pozitiv me Bournemouth.

Sipas mediave britanike, si Crystal Palace ashtu edhe Milan kanë shfaqur interes serioz për 43-vjeçarin. Klubi italian ka zhvilluar edhe dy takime me përfaqësuesit e tij në ditët e fundit, ndërsa Palace i ka paraqitur një projekt ambicioz dhe një kontratë të rëndësishme financiare.

Megjithatë, Iraola nuk ka pranuar asnjë nga ofertat deri tani, por as nuk i ka refuzuar ato. Ai po e merr kohën e nevojshme për të vlerësuar të gjitha opsionet përpara se të marrë një vendim për hapin e radhës në karrierë.

Raportimet e “Sky Sports News” bëjnë të ditur se ish-trajneri i Rayo Vallecano dhe AEK Larnaca po pret të shohë zhvillimet në disa klube të mëdha europiane, përfshirë Liverpoolin dhe Bayer Leverkusenin, përpara se të angazhohet përfundimisht në një projekt të ri.

Ndërkohë, negociatat me Milanin mbeten më të avancuara se ato me Crystal Palace, i cili sipas “BBC Sport” pret një përgjigje përfundimtare brenda kësaj jave. Në rast se marrëveshja nuk arrihet, klubi anglez raportohet se ka si alternativë trajnerin Frank Lampard.

Top Channel