Një premierë absolute botërore… “Fundi i Golemëve” vendoset në skenën e Teatrit tw Operas dhe Baletit mbi gjashtë dekada pas krijimit.
“Është premierë absolute në të gjithë komponentët e saj, nga produksioni te muzika, rolet. Do të këndohet shqip”, shprehet drejtori i TKOB, Aulon Naçi.
Me muzikë të Nikolla Zoraqit dhe me libret të Kolë Jakovës, bazuar në tregimin e shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit”, vepra monumentale sjell në skenë dramën, tradhtinë, dashurinë dhe fatin e një familjeje shqiptare në prag të rënies së epokës së Skënderbeut, duke rikthyer fuqishëm historinë dhe identitetin tonë kombëtar përmes muzikës operistike shqiptare. Me një kast të pasur artistësh, “Fundi i Golemëve” vjen nën koncpetin regjisorial të Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e maestros Zhani Ciko.
“Në 1963, kishte zhvillime sepse ishin vitet e para që Shqipëria shkëputej nga kampi lindor dhe që problemet ishin shumë të mprehta. Ai është bazuar në një tregim të shkrimtarit të njohur Dhimitër Shuteriqi. Ishte hera e parë që trajtoheshin tema që nuk kishin të bënin me realitetin e tregimeve shqiptare. Kol Jakova e mori dhe e ktheu në vargje”, shprehet Zhani Ciko.
“E kam bërë me një dashuri shumë të madhe për vetë afeksionin që kam pasur për Nikolla Zoraqin. Kam pasur marrëdhënie personale, ai më ka përkrahur”, tha Nikolin Gurakuqi.
Për herë të parë pas 63 vitesh, një nga veprat më të bukura shqiptare sheh dritat e skenës këtë të enjte në mbrëmje dhe më pas në 29 dhe 31 maj.
Top Channel